Shkruan: Arianit Koci
Miroslav Lajčák ka qenë për disa vite përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Në atë rol, ai ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në një proces që ka prekur sigurinë, sovranitetin dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Së fundi, mediat ndërkombëtare kanë publikuar materiale nga të ashtuquajturat “Epstein Files”, të cilat nxjerrin në pah kontakte të figurave publike me Jeffrey Epstein – organizator i një rrjeti prostitucioni ku janë kryer vepra shumë të rënda penale, përfshirë shfrytëzimin seksual të vajzave të mitura. Në këto materiale figuron edhe emri i ish-emisarit për dialogun Kosovë-Serbi.
Pak kohë pas këtyre publikimeve, Lajčák dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të Kryeministrit sllovak, Robert Fico. Ky zhvillim i jep peshë politike çështjes dhe e zhvendos debatin nga thashethemet te standardet e përgjegjësisë publike.
Përmendja e një emri në këto materiale nuk do të thotë automatikisht përgjegjësi penale. Megjithatë, ajo e kthen fokusin te një çështje thelbësore për shtetet e vogla si Kosova: cenueshmëria e figurave që kanë pasur rol vendimmarrës në procese politike me pasoja të drejtpërdrejta shtetërore.
Për më tepër, në hapësirën publike është diskutuar edhe mundësia e lidhjeve eventuale të Epstein me shërbime sekrete ruse, në kuadër të skemave të ndikimit politik përmes asaj që njihet si honey trap.
Përndryshe, agjenturat ruse njihen për përdorimin e kësaj metode për komprometim dhe presion politik.
Në praktikë, bëhet fjalë për një modus operandi ku prostitucioni i organizuar përdoret për krijimin e materialit shantazhues, i cili më pas shfrytëzohet për presion dhe orientim të vendimmarrjes.
Për Kosovën, kjo çështje ka peshë të veçantë. Dialogu Kosovë-Serbi ka qenë proces politik me pasoja konkrete në terren, sidomos në veri të vendit, ku ndikimi rus përmes Serbisë është aktiv dhe i vazhdueshëm.
Çdo dyshim mbi pavarësinë, integritetin apo cenueshmërinë e ndërmjetësit e dobëson procesin dhe rrit rrezikun për Kosovën.
Në vija politike të këtij niveli, përgjegjësia nuk mund të mbetet personale dhe e paadresuar. Ajo kërkon trajtim institucional.
Për këtë arsye, Kosova duhet që, përmes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, të vlerësojë rreziqet që lidhen me ndërmjetësime ndërkombëtare në procese të ndjeshme politike.
Në të njëjtën kohë, vendosja e standardeve dhe mbajtja e përgjegjësisë është rol i spektrit politik të Kosovës.
Kur është në pyetje siguria kombëtare dhe e ardhmja politike e vendit, këto dy struktura duhet të veprojnë në mënyrë simultane.
Pikërisht këtu lind nevoja që Kosova, para se ta pranoj një ndjermjetësues, ta vlerësoj kredibilitetin tij.
Në fund, pyetja për Bashkimin Evropian: para se të dërgojë dikë si emisar në procese që prekin sigurinë dhe të ardhmen politike të një shteti, a e di kë po e dërgon?