Kritika e filmit Melania: Shumë shkëlqim, zero thellësi - Gazeta Express
string(53) "kritika-e-filmit-melania-shume-shkelqim-zero-thellesi"

Arte

Gazeta Express

02/02/2026 21:08

Kritika e filmit Melania: Shumë shkëlqim, zero thellësi

Arte

Gazeta Express

02/02/2026 21:08

Dokumentari “Melania”, që po shfaqet këtë fundjavë në kinema, po konsiderohet tashmë si filmi më i debatueshëm i vitit 2026 – jo për përmbajtjen tronditëse, por për boshllëkun e saj.

Nga George Simpson, kritik filmi

Kritika e hershme iu mohua gazetarëve në mbarë botën, ndërsa në rrjetet sociale qarkulluan pamje të sallave thuajse bosh, për shkak të interesimit minimal për biletat.

Në shfaqjen e parë publike ku munda të marr pjesë, fillimisht rezultova i vetmi spektator. Deri në mesditë, në sallë u mblodhën rreth shtatë persona, mes tyre edhe një kritike tjetër filmi, e cila në fund të projekcionit shprehu hapur frustrimin e saj teksa rrotulloheshin titrat mbyllës.

Si dikush që ndjek me interes historinë politike amerikane, pavarësisht bindjeve partiake, hyra në kinema me gatishmërinë për t’i dhënë Melania Trump-it vlerësimin që meriton. Fatkeqësisht, ajo që ofron filmi është kryesisht një rrëfim i mërzitshëm prapaskenash, me shumë pak zbulime reale mbi jetën private apo personalitetin e Zonjës së Parë.

Amazon MGM Studios pagoi një shumë rekord prej 40 milionë dollarësh për këtë projekt, të drejtuar nga Brett Ratner, regjisori që u përjashtua nga Hollywood-i në vitin 2017 pas akuzave të shumta për sulme seksuale, të cilat ai i mohon. Melania shënon rikthimin e tij të madh, njësoj si filmi i sapo-miratruar Rush Hour 4, për të cilin thuhet se vetë Donald Trump ka lobuar.

Dokumentari, mbi të cilin Melania Trump kishte kontroll të plotë editorial, ndjek 20 ditët para inaugurimit të dytë të Trump-it si president. Hapja është mbresëlënëse: Melania ecën si në pasarelë drejt avionit Trump Force One, ndërsa në sfond dëgjohet Rolling Stones dhe kamera fokusohet mbi një lodër në formën e kokës së Trump-it si Terminator.

Një fillim premtues, por që shumë shpejt zbehet. Ritmi bëhet i ngadaltë dhe përmbajtja tepër e sterilizuar – pasoja e qartë e faktit që subjekti ka fjalën e fundit në montazh. Filmi zhvendoset në Nju Jork, ku shohim prova veshjesh dhe adhurim të tepruar nga stilistë në majë të Trump Tower. Gjithçka është e ngrirë, formale dhe pa surpriza.

Melania Trump shfaqet si një grua inteligjente, me sy të stërvitur për modën, veçanërisht në detajet e veshjes së inaugurimit. Por përpjekja e saj për t’u paraqitur si një Jackie Kennedy moderne dështon – ambientet luksoze të apartamenteve të Trump-it i afrohen më shumë shijes kitsch sesa elegancës së një “Camelot”-i të ri. Është më shumë Jack Sparrow me dhëmbë floriri, sesa hijeshi presidenciale.

Narracioni monoton i Melanias, skenat e orkestruara në ashensorë shërbimi dhe bisedat e thata mbi “punën e saj të rëndësishme” e bëjnë filmin lodhës. Paraqitjet episodike të Brigitte Macron dhe Mbretëreshës së Jordanisë nuk arrijnë ta shpëtojnë ritmin, ndërsa gjithçka kulmon në Uashington për ditën e inaugurimit.

Donald Trump shfaqet shpesh, dhe në disa momente arrin ta humanizojë disi figurën e bashkëshortes – si skena ku ajo kërcen prapaskenë me YMCA apo i sugjeron ndryshime në fjalimin e tij. Por momentet ku ajo këndon Michael Jackson në limuzinë janë thjesht të sikletshme, sidomos në një dokumentar që e merr veten tmerrësisht seriozisht dhe nuk ka aspak sens humori.

Pikat e vetme vërtet interesante janë disa fragmente prapaskene: Joe Biden dhe Kamala Harris të heshtur, me duart në xhepa, pak çaste para betimit të Trump-it; apo një skenë në orën 2 të mëngjesit ku Trump porosit hamburgerë në kuzhinën anësore të Shtëpisë së Bardhë, përpara se çifti t’i thotë natën e mirë regjisorit.

Në fund, Melania mbetet një projekt vaniteti i kuruar me kujdes për familjen Trump, por me shumë pak për t’i ofruar publikut të gjerë. Një film me shumë stil, por pothuajse pa asnjë substancë. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement