Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, dhe Kryetarin e Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, ku në fokus ishte bashkëpunimi institucional dhe zhvillimi lokal.
Gjatë takimit, ambasadori Meidani i uroi dy kryetarët për mandatin e ri, duke vlerësuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve.
“I urova suksese në mandatin e ri dhe i falënderova për përkushtimin, punën e palodhur dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve që përfaqësojnë,” deklaroi ambasadori Meidani.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte rëndësia strategjike e Korridorit VIII, si projekt kyç infrastrukturor me ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik, veçanërisht për komunat që janë pjesë e gjurmës së tij.
“Biseduam për nevojën, ndikimin afatgjatë dhe potencialin e Korridorit VIII për zhvillim ekonomik, sidomos për komunat që janë pjesë e këtij korridori,” theksoi Meidani.
Po ashtu, u diskutua për vazhdimësinë e projekteve të përbashkëta dhe nisma të reja që synojnë zhvillimin lokal dhe forcimin e lidhjeve ndërinstitucionale.
“Bashkëpunimi institucional, vizioni i përbashkët dhe puna në terren mbeten çelësi për zhvillim real dhe për një rajon më të lidhur e më pranë Evropës,” u shpreh ambasadori i Shqipërisë në Shkup.
Takimi u cilësua si pjesë e angazhimeve diplomatike për thellimin e bashkëpunimit lokal dhe rajonal në funksion të projekteve strategjike me rëndësi ndërkufitare.
tag_katrorimaqedoni_2