Emily Elizabeth Dickinson (Amherst, 10 dhjetor 1830 – Amherst, 15 maj 1886), poete amerikane, e konsideruar një prej poeteve më të mëdha lirike moderne
Për Austin Dickinson, 21 tetor 1847
[Mount Holyoke Female Seminary]
I dashur vëlla Austin,
Përnjëmend nuk e kam asnjë moment të lirë të të shkruaj dhe po e vjedh për këtë një kohë nga “orët e studimit në heshtje”, por jam e vendosur të mos e thyej premtimin tim prapë dhe përgjithësisht unë i zbatoj vendimet e mia. Të shtunën në mbrëmje të shikova derisa më humbe sysh, pastaj shkova në dhomën tim, i mora në duar thesaret e mia dhe me siguri asnjë mjeran kurrë nuk i ka numëruar pirgjet e tij të arit me më kënaqësi se unë që mbaja sytë mbi dhuratat që më kanë ardhur nga shtëpia.
Ëmbëlsira – kuleç xhenxhefili – byrek – dhe pjeshkët u përlanë të tërat, por – nga mollët – gështenjat dhe rrushi kishte ende dhe shpresoj të mbesin edhe për një kohë. Qesh po deshe, për sa i përket kohës së shkurtër gjatë së cilës gjithë ato gjëra të mira janë zhdukur, por duhet të mbash mend se janë dy veta në vend se një që duhet ushqyer dhe ne këtu kemi apetite të hapura. Nuk mund të ta them se sa mirë më ka bërë vizita jote. Kolla pothuajse më është qetuar dhe gjendja ime shpirtërore është përmirësuar dukshëm që atëherë. Pasi që ti shkove më hyri mendja se më kishte marr tepër malli për shtëpinë, por mund të kunkludoj se nuk është ashtu, prandaj kam hequr dorë nga të gjitha ndjenjat e mallit. A nuk ishte ky një vendim i mençur? Si keni qenë ju të gjithë në shtëpi që nga java e kaluar? Ma ha mendja se asgjë serioze nuk ka ndodhur, përndryshe do ta kisha marrë vesh tashmë. Mora një letër të gjatë nga Mary. Warner, mbrëmjen e kaluar dhe nëse e sheh, të lutem përcillja dashurinë time dhe thuaji se do t’i përgjigjem që në momentin e parë që do ta kem të lirë pas shkollës. Meqë ra fjala, këtë javë këtu kemi pasur një kopsht zoologjik. Miss Lyon na solli “Babushin Hawks” si vardisës ne të gjitha vajzave të seminarit, që donim të shihnim arinjtë dhe majmunët, e motra jote që nuk donte të shkonte u detyrua të refuzonte kavalierllëkun e të ashtuquajturit xhentëlmen, të cilin kam frikë më kurrë s’do të kem mundësi ta kem rrotull. E gjithë kompania u ndal karshi seminarit dhe luajti nja një çerekore me qëllim që të gjente klientë për pasdite, ma ha mendja. Pothuajse të gjitha vajzat shkuan dhe unë më në fund e shijova vetminë.
Dua të di kur do të vish të më takosh sërish, se dua të të takoj më shpesh se deri më tani. Shkova të takoja Miss Fiske në dhomën e saj dje dhe ajo ma lexoi letrën që ia kishte dërguar Sam, një letër njëmend e hareshme. Tingëllonte si ai i tëri. E dua Miss Fiske shumë dhe mendoj se do t’i dua të gjithë mësimdhënësit posa të shoqërohem pak me shumë me ta, t’ua gjej anën, çka të siguroj se është pothuajse “e pamundur ta bëj”. Gati harrova të ta tregoj një ëndërr që e kam parë mbrëmë dhe do të doja t’i thuash Danielit ta interpretojë, ose po nuk e pate ti dert të kalosh nëpër të gjitha rreziqet nëpër të cilat ka kaluar ai, do të të lë ty ta interpretosh pa më siguruar se nuk do të më thuash ndonjë gënjeshtër rreth saj. Mirë, pashë ëndërr një ëndërr dhe medet!!! babai kishte dështuar dhe nëna tha se “ara jonë e thekrës që unë dhe ajo e kemi mbjellë i ishte lënë peng Sem Nimsit”. Shpresoj të mos jetë e vërtetë, por shkruamë menjëherë se ti e se “unë do të ngelem e ngurosur” po u la peng ara jonë e thekrës, të mos them asgjë për këtë është të bie në bie në duart e pamëshirshme të një harrakati!!! A mund të më thuash të lutem kur të më përgjigjesh në këtë letër kush është kandidat për president? Jam mundur ta kuptoj prej se kam ardhur këtu, por nuk ia kam dalë mbanë. Nuk di më asgjë çka po ndodh në botë, si të isha në trans dhe ti mund ta marrësh me mend me tërë “mendjemprehtësinë e palëkundshme” tënde se ajo është fare e vogël. A ka mbaruar lufta meksikane ende dhe si? A jemi mposhtur? A di ndonjë vend që dëshiron të rrethojë Hadleyn Jugor? Po qe ashtu, informomë për këtë, se do të isha e lumtur të kisha një shans të iki, nëse do të vijë puna të na sulmojnë. Pandeh se Miss Lyon do të na furnizojë me të gjitha mjetet e nevojshme që të luftojmë për jetët tona, në rast se na bie mbi kokë një rrezik i tillë.
Thuaji mamasë, meqë ishte shumë merak të merrte vesh a kujdesesha për këpucët e mia, se Emilia ka një brushë këpucësh dhe ngjyrë të zezë me bollëk, kështu që do t’i lyej këpucët e mia sa të ma dojë qejfi. Falënderoje Vinin 10.000 herë për kordelen e bukur dhe thuaji të më shkruajë së shpejti. Thuaji babait se e falënderoj për letrën e tij dhe do të përpiqem të ndjek udhëzimet e tij. Më fal për shkrimin se jam duke u ngutur dhe nuk mund të shkruaj asnjë fjalë më shumë. Juaja, me dashuri, Emily
Përcillja gjithë dashurinë time babait – nënës Vinyt, Abbyt – Maryt, familje ssë Deacon Haskellit dhe të gjithë njerëzve të mirë, që në njëfarë mënyre janë të rëndësishëm për mua.
Do t’i shkruaj Abbyt dhe Maryt shumë shpejt. Më shkruaj një letër të gjatë dhe përgjigju në të gjitha pyetjet e mia, nëse mund t’i lexosh ato. Eja dhe më tako sa më shpesh që të mundesh dhe më sill gjëra të mira çdoherë.
Miss Fiske më ka thënë t’ia përcjell dashurinë e saj Amherstit nëse i shkruaj. Pa e specifikuar kujt, mund t’ua shpërndash, siç të sugjerojnë diskrecioni dhe sensi yt i mirë. Ji djalë i mirë dhe mos më harro.
/Marrë nga Emily Dickinson, The Letters, The Belknap Press of Harvard University Press, 2024
/Përkthimi Gazeta Express