Brooklyn Peltz Beckham ka konfirmuar publikisht prishjen e marrëdhënieve me prindërit e tij të famshëm, ish-yllin e futbollit David Beckham dhe stilisten Victoria Beckham, përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, duke i dhënë fund zërave që kanë qarkulluar prej vitesh në media.
Në një deklaratë të publikuar në Instagram, Brooklyn akuzon prindërit se kanë tentuar vazhdimisht të “shkatërrojnë” martesën e tij me aktoren dhe trashëgimtaren amerikane Nicola Peltz, me të cilën u martua në vitin 2022 dhe pas së cilës adoptoi mbiemrin e dyfishtë Peltz Beckham, përcjell “Gazeta Express”.
“Për gjithë jetën time, prindërit e mi kanë kontrolluar narrativën në media për familjen tonë. Ata kanë tentuar pa pushim të shkatërrojnë marrëdhënien time me bashkëshorten time,” shkroi ai, duke theksuar se kjo është hera e parë që po flet hapur për veten.
Brooklyn, i cili numëron mbi 16 milionë ndjekës në Instagram, përmendi disa episode që sipas tij kanë thelluar konfliktin.
Një prej tyre lidhet me dasmën, ku pretendon se Victoria Beckham anuloi në moment të fundit krijimin e fustanit të nusërisë për Nicolën, duke e detyruar atë të gjejë urgjentisht një alternativë
Në fund, Nicola Peltz u shfaq me një fustan Valentino haute couture.
Ai gjithashtu akuzon të ëmën se e ka quajtur “të keqe” për disa zgjedhje në organizimin e dasmës dhe se ka “rrëmbyer” vallëzimin e parë të çiftit, duke dalë vetë në skenë për të kërcyer me të, në vend të nuses.
Sipas Brooklyn, bashkëshortja e tij është ndjerë vazhdimisht e përçmuar nga familja Beckham, pavarësisht përpjekjeve për të ruajtur unitetin. Ai shton se, edhe pse udhëtoi në Londër për ditëlindjen e 50-të të David Beckham, ai dhe Nicola u lanë mënjanë dhe nuk u përfshinë në festimin madhështor.
“Ai pranoi të më takonte vetëm me kushtin që Nicola të mos ishte e ftuar,” shkroi Brooklyn, duke shtuar se më pas familja refuzoi ta takonte edhe gjatë një vizite në Los Angeles.
Në deklaratën e tij, ai mohon pretendimet se bashkëshortja e tij e kontrollon dhe thekson se, përkundrazi, ka qenë nën presionin e prindërve për pjesën më të madhe të jetës.
“Që kur jam distancuar nga familja ime, ankthi që më ka shoqëruar prej vitesh është zhdukur,” shkroi ai.
David dhe Victoria Beckham ende nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj këtyre akuzave, ndërsa lajmi ka shkaktuar jehonë të madhe në mediat sportive dhe rozë, duke hedhur dritë mbi tensionet brenda një prej familjeve më të njohura të botës së sportit dhe showbiz-it. /GazetaExpress