Rikthim te butonat? Ekranet me prekje në makina më të rrezikshme se mesazhet në telefon gjatë vozitjes - Gazeta Express
string(101) "rikthim-te-butonat-ekranet-me-prekje-ne-makina-me-te-rrezikshme-se-mesazhet-ne-telefon-gjate-vozitjes"

AutoTech

Gazeta Express

14/01/2026 22:45

Rikthim te butonat? Ekranet me prekje në makina më të rrezikshme se mesazhet në telefon gjatë vozitjes

AutoTech

Gazeta Express

14/01/2026 22:45

Ekranet e mëdhenj me prekje në makinat e reja shpesh perceptohen si simbol luksi dhe teknologjie të avancuar.

Por ekspertët e sigurisë rrugore paralajmërojnë se ato mund të përbëjnë një rrezik serioz për shoferët – madje më të madh se përdorimi i telefonit gjatë drejtimit.

Studime të fundit tregojnë se koha e reagimit të shoferëve përkeqësohet me mbi 50 për qind kur ata përdorin ekranin me prekje për të ndërruar muzikën apo për të rregulluar ngrohjen. Ky ndikim është më i madh se ai i dërgimit të mesazheve apo i telefonatave, të cilat rrisin kohën e reagimit përkatësisht me 35 dhe 46 për qind.

Për këtë arsye, po shtohen thirrjet që prodhuesit e makinave të heqin dorë nga teknologjia e panevojshme dhe të rikthehen te panelet tradicionale me butona fizikë.

Problemi kryesor, sipas ekspertëve, është se ekranet me prekje kërkojnë që shoferët të largojnë sytë nga rruga për periudha të papranueshme, edhe për funksione bazë. Ndërsa përdorimi i tyre për kamera parkimi apo navigim mund të jetë i arsyeshëm, situata bëhet e rrezikshme kur shoferi duhet të kalojë nëpër menu për të ndezur fshirëset e xhamit apo për të rregulluar temperaturën.

Dr. Milad Haghani, ekspert sigurie nga Universiteti i Melburnit, shprehet se kjo është “një kombinim i rrezikshëm dhe një recetë e sigurt për shpërqendrim serioz”.

Historikisht, standardet e sigurisë së makinave janë përqendruar më shumë te mbrojtja në rast aksidenti, sesa te parandalimi i tij. Megjithatë, gabimi njerëzor mbetet shkaku kryesor i shumicës së aksidenteve, dhe ai shtohet ndjeshëm kur ambienti i drejtimit është shpërqendrues.

Ekspertët e sigurisë e ndajnë shpërqendrimin në tre kategori: vizual (sytë larg rrugës), manual (duart larg timonit) dhe kognitiv (mendja larg drejtimit). Sipas Dr. Haghani-t, ekranet me prekje janë veçanërisht të rrezikshme sepse i kombinojnë të treja njëkohësisht: shoferi duhet të shikojë ekranin, të përdorë duart dhe të mendojë se si të lëvizë nëpër menu.

Një studim i vitit 2020 nga kompania britanike e transportit TRL tregoi se shoferët që përdornin sisteme me prekje si Apple CarPlay apo Android Auto kishin kohë reagimi dukshëm më të ngadalta krahasuar me ata që përdornin komandat zanore. Në shpejtësi autostrade, kjo diferencë do të thoshte përshkimin e disa gjatësive makine shtesë para ndalimit. Po ashtu, u vu re përkeqësim i mbajtjes së korsisë dhe i performancës së përgjithshme në drejtim.

Në disa raste, ndikimi negativ i ekraneve me prekje ishte po aq i madh – nëse jo më i madh – se ai i dërgimit të mesazheve gjatë drejtimit.

Në kontrast, butonat fizikë konsiderohen shumë më pak shpërqendrues. Ata kërkojnë vetëm largimin e dorës nga timoni, por lejojnë që sytë të mbeten në rrugë dhe nuk kërkojnë vështrime të gjata. Shoferët mund të zhvillojnë shpejt “kujtesën muskulore” dhe të përdorin butonat pa i parë, falë ndjesisë fizike që ofrojnë.

Në Australi dhe Zelandën e Re, programi i vlerësimit të sigurisë së automjeteve ANCAP ka njoftuar se nga viti 2026 do t’u kërkojë prodhuesve të rikthejnë butonat fizikë për funksionet thelbësore. Sipas ekspertëve, ekranet mund të mbeten për funksione që nuk rregullohen shpesh gjatë drejtimit, si navigimi, por kontrollet për temperaturën, fshirëset e xhamit apo volumin e audios duhet të jenë të aksesueshme pa hequr sytë nga rruga.

“Shoferët duhet të kenë gjithmonë mundësi zgjedhjeje dhe akses të drejtpërdrejtë përmes butonave apo rrotave të thjeshta,” thekson Dr. Haghani.

Kompania Tesla, e njohur për përdorimin pothuajse ekskluziv të ekranit me prekje, është kontaktuar për koment, por ende nuk ka reaguar. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement