Ilir Krasniqi e finalizoi dje transferimin nga Kolos Kovalivka në Polissya Zhytomyr, duke e vazhduar kështu eksperiencën në futbollin ukrainas.
E këtij transferimi iu gëzua edhe Llapi, i cili i fitoi 20% nga shitja e futbollistit.
Në total, qendërmbrojtësi kosovar u shit për 1,5 milion euro, shkruan “Gazeta Express”.
Nga kjo shumë, klubi nga Superliga i fitoi 300 mijë euro.
Por, kjo nuk është e tëra.
Trajneri Tahir Batatina, në një bisedë me “Gazeta Express” ka zbuluar se llapjanët do t’i përfitojnë 5% nga shitja e ardhshme e kartonit të përfaqësuesit kosovar.
Duke e pasur parasysh se shuma e shitjes së lojtarit do të rritet në të ardhmen, natyrisht varësisht nga paraqitjet e tij, kjo nënkupton se llapjanët po i fërkojnë duart dhe shpresojnë që të fitojnë edhe më shumë para në të ardhmen.
Llapi është klubi amë i lojtarit dhe do të përfitojë gjithmonë kur të ketë lëvizje të lojtarit në klube evropiane.
Ilir Krasniqi është pjesë e rregullt e grumbullimeve të Kombëtares së Kosovës. /Gazeta Express