Epson po rikthehet me një mënyrë krejt të re për të parë televizor – dhe duket shumë më argëtuese se printerët e zakonshëm për të cilët njihet kompania.
Risia quhet Lifestudio Grand EH-LS970 dhe është një projektor 4K me hedhje ultra të shkurtër, i aftë të projektojë një imazh jashtëzakonisht të mprehtë dhe shumë të ndritshëm në çdo mur të shtëpisë. Falë inteligjencës artificiale të integruar, pajisja optimizon automatikisht figurën sipas ambientit, ndërsa Epson premton se është projektuar posaçërisht për adhuruesit e filmave.

Falë dizajnit inteligjent dhe teknologjisë “short-throw”, projektori mund të vendoset shumë pranë murit, pa zënë hapësirë në mes të dhomës së ndenjjes. Sapo ndizet, ai rivalizon seriozisht ekranët tradicionalë të televizorëve, duke qenë i aftë të shfaqë filma, sporte dhe seriale me përmasa deri në 150 inç.
Zë i fuqishëm dhe përvojë kinemaje në shtëpi
Për të përmirësuar përvojën vizuale, EH-LS970 vjen me një sistem zanor të projektuar nga Bose, i integruar në trupin kompakt të pajisjes, si dhe mbështetje për Dolby Audio, duke ofruar tingull gjithëpërfshirës pa pasur nevojë për pajisje shtesë.
Një tjetër avantazh i rëndësishëm është lidhja e plotë me internetin dhe Google TV i integruar. Kjo do të thotë akses i menjëhershëm në aplikacione si Netflix dhe Disney+, pa pasur nevojë për pajisje shtesë transmetimi.
“EH-LS970 e ngre në një nivel tjetër përvojën e përbashkët kinematografike në shtëpi,” tha Kiran Sanghera nga Epson Europe. “Ai ofron detaje të vërteta 4K, ndriçim prej 4,000 lumenësh dhe tingull të projektuar nga Bose, në një sistem të lehtë për t’u përdorur, me Google TV të integruar, konfigurim inteligjent dhe funksionim shumë të qetë.”

Kur do të dalë në treg?
Projektori Lifestudio Grand EH-LS970 pritet të dalë në treg në prill 2026, ndërsa çmimi ende nuk është bërë publik.
Gara për ekranë gjigantë po ashpërsohet
Epson nuk është e vetmja kompani që po sjell mënyra të reja për të parë televizor. Samsung ka prezantuar së fundmi teknologjinë MicroRGB, që ofron një televizor me ekran 130 inç, si dhe projektorin e ri Freestyle+, i cili përdor inteligjencë artificiale për të përshtatur figurën sipas mureve, perdeve apo edhe tapetit.
Ndërkohë, edhe LG po lançon televizorë që duken si korniza fotografish, si dhe ekrane ultra të hollë “Wallpaper”, të cilët eliminojnë nevojën për kabllo të dukshme.
Të gjitha këto risi pritet të mbërrijnë më vonë gjatë këtij viti, duke e bërë të ardhmen e argëtimit në shtëpi më mbresëlënëse se kurrë. /GazetaExpress/
Kanë kaluar tashmë një vit që nga momenti kur klinika Trandevue u vlerësua në Stamboll me çmimin prestigjioz “Best...