Prerjet e dështuara dhe “fade”-t e pabarabarta mund të mbeten së shpejti në të kaluarën, pasi një startup ka prezantuar gërshërë flokësh të fuqizuara nga inteligjenca artificiale (AI).
Të zbuluara në panairin Consumer Electronics Show (CES) në Las Vegas, pajisja me emrin GLYDE pretendohet si “gërshëra e parë inteligjente për flokë në botë”.
Kjo pajisje e pazakontë përdor një “trajner prerjeje” me AI dhe teknologji “auto fade”, duke u mundësuar edhe personave pa përvojë të bëjnë një prerje që duket profesionale. Sipas kompanisë, mjafton t’ia besoni flokët një algoritmi dhe GLYDE mund të realizojë një prerje të plotë për më pak se 10 minuta.
Si funksionon prerja me AI?
Për të bërë një prerje të re, përdoruesi zgjedh fillimisht modelin e dëshiruar përmes aplikacionit në telefon. Më pas, kushdo mund t’i kalojë gërshërët mbi kokë, ndërsa pajisja rregullon automatikisht thellësinë e prerjes.
Tehët lëvizin vetë, duke bërë të mundur që prerje më komplekse, si “fade”, të realizohen në një kalim të vetëm, pa pasur nevojë për aftësi apo eksperiencë profesionale.
GLYDE shprehet aq e sigurt për teknologjinë e saj, sa pretendon se gërshërët ofrojnë prerje me “zero gabime”. Por pyetja mbetet: a do t’i besonit flokët inteligjencës artificiale?
Sensorë, motorë dhe kontroll maksimal
Sipas kompanisë, gërshërët janë të pajisura me sensorë të integruar që gjurmojnë lëvizjen dhe këndin e tehut. Motorët e brendshëm e krahasojnë këtë lëvizje me modelin e prerjes së zgjedhur dhe rregullojnë automatikisht tehët.

Në teori, kjo do të thotë që flokët priten në gjatësinë e saktë, pavarësisht se si mbahen gërshërët.
Për të shmangur prerjet e shtrembëra, përdoruesi duhet fillimisht të vendosë një shirit të veçantë rreth kokës, të ngjashëm me maskë. Ky “fade band” shërben si pikë referimi e vazhdueshme, në mënyrë që pajisja të dijë saktësisht ku duhet të fillojë kalimi gradual i prerjes.
Siguri për fillestarët
Për ata që ndihen të pasigurt, GLYDE përfshin disa mekanizma sigurie që, të paktën në teori, e bëjnë të pamundur prishjen e prerjes. Nëse ndryshoni papritur shpejtësinë ose këndin, tehët tërhiqen automatikisht dhe ndalojnë prerjen.
Po ashtu, nëse pajisja zbulon se po mbahet në kënd të gabuar ose se prerja po nis nga pozicioni i pasaktë, tehët nuk aktivizohen fare.
Gërshërët kanë edhe një ekran të vogël që shfaq informacione si zona e prerjes dhe thellësia e tehut, si dhe një nivelues të integruar për t’ju ndihmuar t’i mbani drejt.

Modele të gatshme dhe plane për të ardhmen
Aktualisht, përdoruesit mund të zgjedhin vetëm nga një bibliotekë modelesh të parapërgatitura, të cilat GLYDE thotë se janë “testuar në forma të ndryshme koke”. Në të ardhmen, kompania planifikon të lejojë ngarkimin e modeleve personale dhe ndarjen e ideve mes përdoruesve.
Për më guximtarët, GLYDE ka lënë të hapur mundësinë që në përditësime të ardhshme të shtohen edhe opsione për rregullimin e mjekrës dhe qimeve të trupit. Sipas raportimeve, po planifikohet edhe integrimi i komandave zanore, si dhe rekomandime automatike për stile flokësh nga vetë AI-ja.

Çmimi dhe disponueshmëria
Kompania nuk ka dhënë ende një datë zyrtare lançimi, por pritet që gërshërët GLYDE të dalin në treg gjatë verës dhe të kushtojnë rreth 110 paund (afërsisht 150 dollarë). Ato do të jenë të disponueshme në faqen zyrtare të kompanisë dhe te disa shitës online të përzgjedhur.
Pajisje të çuditshme edhe të tjera në CES
Gërshërët me AI nuk ishin e vetmja risi e pazakontë në CES këtë vit. L’Oréal prezantoi një maskë fleksibël LED për fytyrën, që synon të luftojë shenjat e plakjes përmes dritës së kuqe dhe infra të kuqe. Ndërkohë, startup-i Vivoo prezantoi peceta menstruale “inteligjente” që analizojnë hormone dhe mund të zbulojnë shenja të problemeve të fertilitetit ose sindromës së vezores policistike./GazetaExpress/
Kanë kaluar tashmë një vit që nga momenti kur klinika Trandevue u vlerësua në Stamboll me çmimin prestigjioz “Best...