Golden Eagle Ylli ka regjistruar një triumf shumë të vlefshëm ndaj Rahoveci 029, duke fituar me rezultat 94:80 në kuadër të javës së 14-të të ProCredit Superligës.
Ndeshja nisi me ritëm të barabartë, por therandasit shpejt morën kontrollin e lojës. Ata e mbyllën çerekun e parë në epërsi 22:16, ndërsa në periudhën e dytë dominuan plotësisht, duke krijuar avantazh të madh dhe shkuar në pushim me rezultat bindës 53:32.
Pjesa e dytë solli reagim të fortë nga mysafirët, të cilët në çerekun e tretë arritën të ngushtonin epërsinë në 68:65, ndërsa në periudhën e fundit u afruan edhe në 78:77.
Megjithatë, në momentet vendimtare Golden Eagle Ylli tregoi më shumë qetësi dhe efikasitet, duke siguruar fitoren përfundimtare 94:80.
Te vendasit u dalluan Brandon Huffman me një paraqitje të shkëlqyer prej 25 pikësh dhe 10 kërcimesh, si dhe Trevon Allen me 21 pikë e gjashtë kërcime. Ndërkohë, te Rahoveci 029 më i dalluari ishte Isiah Umipig me 24 pikë.
Pas kësaj ndeshjeje, të dy skuadrat kanë bilanc të njëjtë prej pesë fitoreve dhe nëntë humbjeve. /GazetaExpress