Bashkimi ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj GO+ Pejës në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll, duke triumfuar me rezultat 96:90 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Përballja u karakterizua nga tension i lartë dhe u shoqërua me incidente serioze. Rreth shtatë minuta para përfundimit të pjesës së parë, ndeshja u ndërpre pasi nga tribunat u hodhën gjësende në parket, duke shkaktuar lëndim te kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, i cili pësoi një të çarë në ballë.
Pas kësaj, skuadra mysafire u tërhoq nga fusha, ndërsa loja rifilloi pas rreth 40 minutash, pasi u zbraz një pjesë e tribunës qendrore me vendim të organeve përkatëse.
Pas rifillimit, Bashkimi arriti ta menaxhojë më mirë lojën dhe ta ruajë epërsinë. Prizrenasit e mbyllën pjesën e parë me rezultat 48:40, ndërsa çereku i tretë përfundoi baras 24:24.
GO+ Peja u tregua më efikase në periudhën e fundit, të cilën e fitoi 26:24, por pa arritur të përmbysë rezultatin final.
Shannon Shorter ishte më i miri te Bashkimi me 27 pikë, katër kërcime dhe katër asistime. Isiah Cousins kontribuoi me një “double-double” prej 17 pikësh dhe 10 asistimesh, ndërsa TJ Bickerstaff shtoi 16 pikë. Kontribut dhanë edhe Ike Nëamu me 11 pikë dhe Dequon Lake me 10 pikë.
Te GO+ Peja, Dardan Berisha, pavarësisht lëndimit, e mbylli ndeshjen me 20 pikë, katër kërcime dhe dy asistime. Tajh Green regjistroi një “double-double” me 10 pikë dhe 12 kërcime.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas dy javësh në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ku do të përcaktohet ekipi që do të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. /GazetaExpress