Raportime të shumta në Itali konfirmojnë se sulmuesi i West Ham, Niclas Füllkrug, do të mbërrijë sonte në Milano, ku të martën do t’i nënshtrohet testeve mjekësore me Rossonerët.
Sulmuesi i West Ham, Füllkrug, është gati t’i bashkohet Milanit në formë huazimi me opsion blerjeje nga klubi londinez, dhe 32-vjeçari do t’i kryejë testet mjekësore me gjigantët e Serie A nesër, të martën, më 23 dhjetor.
Sky Sport Italia dhe Gazzetta raportojnë se Füllkrug do të zbresë në Itali sonte, ndërsa testet mjekësore do t’i zhvillojë nesër.
Të mërkurën, në prag të Krishtlindjeve, Füllkrug do të stërvitet për herë të parë nën drejtimin e Massimiliano Allegrit dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të vitit 2026 kundër Cagliarit, falë një miratimi të veçantë nga FIGC.
“Football Italia” raporton se opsioni i blerjes në fund të sezonit për Milanin do të jetë mes 11 dhe 13 milionë euro.
Füllkrug ka pasur vështirësi për të gjetur hapësira te West Ham këtë sezon, duke grumbulluar vetëm 413 minuta lojë në nëntë paraqitje. Sulmuesi gjerman nuk ka shënuar ende gol në asnjë ndeshje zyrtare në sezonin 2025/26./GazetaExpress/