Real Madridi mposht Sevillën 2-0 dhe rrit presionin ndaj Barcelonës - Gazeta Express
string(67) "real-madridi-mposht-sevillen-2-0-dhe-rrit-presionin-ndaj-barcelones"

Sport

Gazeta Express

20/12/2025 23:02

Real Madridi mposht Sevillën 2-0 dhe rrit presionin ndaj Barcelonës

Sport

Gazeta Express

20/12/2025 23:02

Real Madridi ka regjistruar një fitore të rëndësishme në Santiago Bernabéu, duke mundur Sevillën me rezultat 2-0 në kuadër të javës së 17-të të La Liga-s.

Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso e mori menjëherë kontrollin e lojës, duke krijuar raste që në fillim të takimit.

Fran García dhe Rodrygo provuan portën e Vlachodimos, i cili u detyrua të ndërhyjë disa herë për të mbajtur ekipin e tij në lojë. Nga ana tjetër, Sevilla pati një rast të vetëm serioz në fillim me Isaac Romero, por pa sukses.

Epërsia për vendasit erdhi në minutën e 38-të, kur pas një goditjeje dënimi të Rodrygos, Jude Bellingham u tregua i saktë me kokë, duke shënuar për 1-0.

Në pjesën e dytë, Reali vazhdoi me dominim total. Kylian Mbappé ishte disa herë pranë golit, duke goditur shtyllën dhe duke vënë në provë portierin e Sevillës, ndërsa edhe Rodrygo u ndal nga traversa. Situata u komplikua për mysafirët në minutën e 68-të, kur Marcao u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.

Me një lojtar më shumë, madrilenët menaxhuan lojën dhe në minutën e 86-të vulosën fitoren. Mbappé realizoi saktë nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 2-0.

Falë kësaj fitoreje, Real Madridi i afrohet Barcelonës vetëm në një pikë, ndërsa katalanasit do të luajnë nesër në udhëtim ndaj Villarrealit. /GazetaExpress

Advertisement
Advertisement
Advertisement