Java e 13-të e ProCredit Superligës së Kosovës solli fitore të rëndësishme për Sigal Prishtinën dhe kampionen në fuqi, Trepçën.
Sigal Prishtina triumfoi në udhëtim ndaj Vëllaznimit me rezultat 74:68, në një ndeshje të zhvilluar në Prizren. Kryeqytetasit e nisën fuqishëm takimin, krijuan epërsi që në çerekun e parë dhe arritën ta ruajnë atë deri në fund.
Jericole Hellems ishte më efikasi me 29 pikë, ndërsa Adrio Bailey kontribuoi me 21 pikë dhe 12 kërcime. Pas 13 javësh, Sigal Prishtina ka bilanc prej 7 fitoreve dhe 6 humbjeve, ndërsa Vëllaznimi numëron 4 fitore dhe 8 humbje, shkruan Gazeta Express.
Ndërkohë, Trepça shënoi fitore bindëse në udhëtim ndaj Rahovecit 029, duke dominuar plotësisht ndeshjen dhe fituar me rezultat të thellë 110:57.
Mitrovicasit ishin në epërsi gjatë gjithë takimit, ndërsa Ja’cori Payne u dallua me 20 pikë. Pesë lojtarë të Trepçës e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore.
Pas kësaj xhiroje, Trepça vazhdon të kryesojë tabelën me 10 fitore dhe 3 humbje, ndërsa Rahoveci 029 ka 5 fitore dhe 8 humbje. /GazetaExpress