Një ndeshje e fortë dhe me ritëm të lartë u zhvillua në stadiumin e qytetit në Suharekë, në kuadër të xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës, ku Ballkani dhe Prishtina dhuruan një spektakël për tifozët.
Para fillimit të takimit, u mbajt një minutë heshtjeje për nder të Dren Feratajt, anëtar i stafit të FC Prishtinës që ndërroi jetë së fundmi. Lojtarët e të dy skuadrave dhe gjyqtarët dolën në fushë me fanella që mbanin fotografinë e tij, ndërsa klubi i Prishtinës e kujtoi me mesazhin prekës: “Gjithmonë në zemrat tona, Dren”.
Prishtina kaloi e para në epërsi me golin e Gentrit Salihut në minutën e 13-të, por Ballkani reagoi shpejt. Bleart Tolaj barazoi në minutën e 22-të, ndërsa në minutën e 31-të autogoli i Salihut përmbysi rezultatin në 2-1 për vendasit.
Pjesën e parë e mbylli Valentin Serebe me penallti në minutën shtesë, duke vulosur rezultatin 3-1 dhe duke shënuar golin e 13-të në këtë edicion të Superligës.
Pjesa e dytë ishte më e barabartë, me raste nga të dyja skuadrat, por asnjëra nuk arriti të ndryshojë rezultatin.
Me këtë fitore, Ballkani vazhdon të udhëheqë Superligën me 32 pikë, ndërsa Prishtina mbetet në vendin e tretë me 27 pikë. /GazetaExpress