Na pikëlloi pa masë ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi (1985-2025). Shpati ishte i pashëm si Xhorxh Kluni dhe i qeshur si Riçard Giri. Ishte një nga yjet e muzikës së lehtë shqiptare, që me zërin dhe interpretimin e tij pushtoi zemrat e artdashësve. Tani që ai nuk është më fizikisht, mua m’u kujtua babai i tij, Naim Kasapi, i cili po ashtu iku nga kjo botë në moshë të re. Babai i Shpatit dhe familja e tij ishin dibranë të ramë në Tetovë.
Shkruan: Agim Vinca
Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar Naim Kasapi, si shumë të rinj të tjerë nga viset shqiptare në Maqedoni, studionte në Universitetin e Prishtinës, që në atë kohë ishte i vetmi universitet për shqiptarët këndej kufirit. Ishte student me korrespondencë i letërsisë dhe gjuhës shqipe. Pasi i dha të gjitha provimet u përcaktua për temën e diplomës në lëndën të cilën e ligjëroja unë: Poezi e sotme shqipe. Duhet të ketë qenë viti 1977/78. Unë atëbotë isha pedagog i ri, ende magjistër. Naimi diplomoi me temën “Poezia e sotme arbëreshe”, duke e trajtuar atë si pjesë të letërsisë shqipe në përgjithësi dhe si vazhduese e traditës së De Radës dhe korifenjve të tjerë të këtij krahu të letërsisë shqipe. Babai i Shpatit, Naimi, njeri i kulturuar e plot edukatë, punonte në Bibliotekën e Qytetit në Tetovë dhe ishte i gatshëm të të gjente në çdo kohë libra, revista e gazeta që mund të të hynin në punë. Mirëpo, fatkeqësisht, jo shumë kohë pas diplomimit, u nda nga jeta, afërsisht në moshën e të birit, duke lënë pas bashkëshorten, Gjylymseren, pedagoge e aktiviste e zellshme dhe fëmijët e vegjël, Shpatin dhe vëllain e tij.
Shpati u rrit, u bë burrë dhe njeri e artist i dashur për të gjithë shqiptarët, duke vazhduar kështu pak a shumë traditën familjare.
Pasi e dëgjova lajmin për ikjen e Shpatit dhe po shihja reagimet e shumta që vërshuan nga të gjitha anët, m’u kujtua babai i tij i ndjerë, Naimi dhe diplomimi i tij në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës me temën për poetët arbëreshë, fakt ky për të cilin pakkush di.
Duke i shprehur ngushëllime familjes, të afërmve, miqve, shokëve dhe artdashësve të Shpat (Naim) Kasapit, po e mbylli këtë fjalë të përzishme me dy vargje të poetit Vorea Ujko, bardit të poezisë bashkëkohore arbëreshe, të cilat duken si të ishin shkruar për Shpatin:
“Kënga që dikur këndoja
Tashti fle në buzët e mia…”.
U prehsh i qetë, i dashur Shpat, me këngë në buzë si gjithmonë!
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...