Shkencëtarët lëshojnë paralajmërim shqetësues për “armët e trurit” që mund të kontrollojnë perceptimin, kujtesën dhe sjelljen - Gazeta Express
string(122) "shkencetaret-leshojne-paralajmerim-shqetesues-per-armet-e-trurit-qe-mund-te-kontrollojne-perceptimin-kujtesen-dhe-sjelljen"

AutoTech

Gazeta Express

26/11/2025 20:18

Shkencëtarët lëshojnë paralajmërim shqetësues për “armët e trurit” që mund të kontrollojnë perceptimin, kujtesën dhe sjelljen

AutoTech

Gazeta Express

26/11/2025 20:18

Ajo që dikur dukej si trillim fantastiko–shkencor po shndërrohet në realitet: ekspertët paralajmërojnë se armët që synojnë trurin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mendje janë gjithnjë e më afër zhvillimit.

Në një libër të ri, studiuesit britanikë Dr. Michael Crowley dhe Prof. Malcolm Dando, nga Universiteti i Bradford, thonë se përparimet në neuroshkencë duhet të shërbejnë si “zgjim urgjent” për botën.

“E njëjta njohuri që na ndihmon të trajtojmë sëmundjet neurologjike mund të përdoret për të ndërprerë të menduarit, për të induktuar bindje, apo madje për të kthyer njerëzit në agjentë të pavetëdijshëm,” paralajmëron Prof. Dando.

Sipas tyre, fuqitë botërore — përfshirë SHBA, Kinën, Rusinë dhe Britaninë — kanë kërkuar armë që veprojnë në sistemin nervor qendror që nga vitet 1950. Dhe sot, teknologjia ka avancuar aq shumë sa armë që manipulojnë frikën, gjumin, agresionin, kujtesën apo vendimmarrjen nuk janë më të paimagjinueshme.

Historia e kërkimeve për kontrollin mendor

Gjatë Luftës së Ftohtë, shtetet kërkonin kimikate që mund të shkaktonin halucinacione, konfuzion, humbje vetëdijeje ose sedacion masiv. Më i famshmi ishte BZ, një substancë halucinogjene e zhvilluar nga ushtria amerikane, e prodhuar në sasi industriale — megjithëse nuk ka prova se u përdor në luftë.

Kina, ndërkohë, ka zhvilluar një “armë narkoze” që lëshon injeksione kimike për të paralizuar objektivin.

Rasti i vetëm i dokumentuar i përdorimit të armëve që synojnë trurin ndodhi në Moske, në vitin 2002, kur forcat ruse përdorën një derivat të fentanylit për të neutralizuar militantët çeçenë — duke vrarë gjithashtu 120 pengje civile.

Rreziku i sotëm: Teknologjia po i afrohet trurit

Zhvillimet moderne në neuroshkencë, terapi neurologjike, teknologji kimike dhe biologjike mund të përdoren edhe për qëllime joetike.

Studiuesit theksojnë dilemen e njohur si “dual-use” — kërkimet e krijuara për të kuruar sëmundjet mund të transformohen në armë psikologjike ose neurologjike.

“Po hyjmë në një epokë ku vetë truri mund të bëhet fushëbetejë,” thotë Prof. Dando.

Ata paralajmërojnë se disa shtete mund të synojnë zhvillimin e kimikateve që sedojnë, paralizojnë njohjen, shkaktojnë panik, turbullim mendore ose nënshtrim.

Një boshllëk i rrezikshëm ligjor

Konventa për Armët Kimike ndalon përdorimin e kimikateve në luftë, por lejon përdorimin e tyre në “zbatim të ligjit”, si p.sh. policia. Kjo hap një portë të rrezikshme për të justifikuar armë të reja që ndikojnë në tru.

Për këtë arsye, autorët po udhëtojnë drejt Hagës për të kërkuar rregullime të reja ndërkombëtare.

“Duhet të veprojmë tani për të mbrojtur integritetin e shkencës dhe shenjtërinë e mendjes njerëzore,” theksojnë ata. /GazetaExpress/