Tri herë kampioni i Kosovës, Ballkani po kalon në momente jo të mira, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.
Ndonëse e nisi mirë sezonin, duke qenë pa humbje në shtatë ndeshjet e para (Katër fitore dhe tri barazime), Ballkanit më pas nuk i eci mirë në fushën e lojës, duke marrë vetëm dy fitore në shtatë ndeshjet tjera të ardhshme (Tri humbje, dy barazim dhe dy fitore).
Por, kjo nuk është e tëra. Pas rezultateve jo të mira dhe humbjes nga Drenica, trajneri Orges Shehu u largua nga Ballkani, duke u zëvendësuar nga trajneri i grupmoshës U21 të këtij klubi, Edon Gashi. Ky i fundit e drejtoi skuadrën në humbjen prej 4-2 nga Llapi në Suharekë, gjatë ditës së djeshme.
‘Problemet’ për Ballkanin vazhduan edhe jashtë fushës, shkruan “Gazeta Express”.
Ballkani tashmë e ka të bllokuar edhe merkaton. Në “FIFA Registration Bans” vërtetohet se merkatoja e Ballkanit është bllokuar për tri afatet kalimtare të ardhshme – me vendimin që ka hyrë në fuqi që nga 25 shtatori i këtij viti. Raportohet se ky ndalim për Ballkanin vjen si pasojë e problemeve me borxhet ndaj lojtarëve.

Lista e “FIFA Registration Bans” është një listë që detajon klubet në mbarë botën që aktualisht përballen me ndalesa regjistrimi të vendosura nga FIFA. Kjo listë përfshin klubet që janë përkohësisht të ndaluara të regjistrojnë lojtarë të rinj për shkak të shkeljeve të ndryshme, si mosmarrëveshje financiare ose shkelje rregullatore.
Momentalisht, Ballkani renditet i dyti në tabelën e Superligës, me 23 pikë të tubuara në 14 ndeshje. Suharekasit kanë tri pikë më pak se Prishtina në vendin e parë, teksa janë baras me pikë me Dukagjinin e Dritën, në vendin e tretë dhe të katërt, respektivisht./GazetaExpress/