Robert Lewandowski ishte i lumtur pas fitores bindëse 4-0 të Barcelonës ndaj Athletic Club në La Liga, një ndeshje që shënoi rikthimin triumfues të katalanasve në Camp Nou pas rinovimit të stadiumit.
Sulmuesi polak ishte autori i golit të parë të ndeshjes, duke shënuar në minutën e 4-të, dhe shprehu emocionet e tij pas një ditë të paharrueshme.
“Është një ditë speciale, jemi shumë të lumtur që luajmë sërish në Camp Nou. Nga fillimi luajtëm shumë mirë, dy gola në secilën pjesë. Më e rëndësishmja sesa pikët është që u kthyem, të luajmë këtu është diçka e veçantë,” tha Lewandowski pas ndeshjes, shkruan Gazeta Express.
Ai e vlerësoi golin e tij si një moment të rëndësishëm, por theksoi se sukseset e ekipit janë ato që kanë rëndësi më shumë. “Që nga fillimi kishim në mendje të sulmonim për të shënuar golin e parë. Për mua, ky është një gol shumë i veçantë, jam shumë krenar, por më e rëndësishmja është ekipi,” shtoi Lewandowski.
Ish-sulmuesi i Bayern Munich theksoi gjithashtu atmosferën e veçantë që krijohet kur Barcelona luan në shtëpi.
“Kur luajmë në Camp Nou jemi më të fortë. Ndjeva një ndjenjë shumë të mirë që nga fillimi, kam 37 vjet, por për mua ishte gjithashtu një ditë speciale,” përfundoi Lewandowski.
Barcelona, edhe pa disa lojtarë kyç për shkak të lëndimeve dhe pezullimeve, u rikthye në formën e saj më të mirë pas pauzës ndërkombëtare dhe tani ka arritur në nivel me Real Madridin në krye të tabelës, përpara se Los Blancos të ndeshen me Elchen. /GazetaExpress/