Kryetari i Federatës së Futbollit të Curaçaos, Gilbert Martina, ka folur pas suksesit të arritur nga komëbtarja e këtij vendi.
Kombëtarja e Curaçaos arriti të kualifikohet për herë të parë në një Kupë të Botës.
Ai ndër tjerash foli edhe për mënyrën si rekrutoi trajnerin e njohur holandez Dick Advocaat.
“Herën e parë që fola me Dick ishte në gusht 2023. Ia shpjegova projektin dhe ai më tha: ‘Gilbert, nëse i sigurojmë ata lojtarë, kemi një skuadër që mund të arrijë në Kupën e Botës’. E pyeta nëse mund ta përdorja emrin e tij për të tërhequr sponsorë, sepse një emër i madh jep shpresë”, tha ai fillimisht.
Tutje, ai shtoi se kishte tre trajnerë në mendje, para se të bënte zgjedhjen e fundit.
“Kisha tre trajnerë në mendje. Bert van Marëijk, i cili e çoi Holandën në finalen e Botërorit 2010, më tha se ishte tërhequr. Pastaj iu drejtova Louis van Gaal. Ai tha: ‘Nëse do të stërvit sërish, do të jetë një ekip që mund të bëhet kampion bote’. E respektoj këtë, ne ende nuk jemi aty”, shtoi Martina.
Ai më pas vazhdoi duke thënë se ishte Dick Advocaat që e telefonoi në fund vetë.
“Më pas Dick më telefonoi vetë. Ai tha: ‘Kam dëgjuar se Curaçao po kërkon trajner, jam i disponueshëm’. Më përshkon ende një ndjesi e veçantë kur e kujtoj. Në fushë e sheh energjinë, pasionin dhe disiplinën e tij”, përfundoi ai.
Advocaat po shkon drejt Kupës së tij të tretë të Botës si trajner.
Ai më parë drejtoi Holandën në turneun e vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara dhe drejtoi Korenë e Jugut në Botërorin 2006. Ai gjithashtu menaxhoi Rusinë në Euro 2012./GazetaExpress/