Chelsea ka marrë një goditje të papritur para një serie ndeshjesh të rëndësishme: mesfushori Cole Palmer ka pësuar një thyerje të gishti të këmbës pas një aksidenti në shtëpi dhe do të mungojë për ndeshjet e ardhshme të klubit.
23-vjeçari ka luajtur vetëm tre ndeshje në Premier League këtë sezon, pasi është dëmtuar shpesh nga problemet me ijën.
Ai ishte rikuperuar gradualisht dhe trajneri Enzo Maresca shpresonte ta kishte gati për një periudhë të vështirë ndeshjesh, që përfshin përballjet me Burnley, Barcelona dhe Arsenal brenda 10 ditëve.
Por një incident i çuditshëm në mes të natës, ku Palmer goditi gishtin e majtë në një derë të shtëpisë, e ka detyruar të mbetet jashtë për momentin.
Maresca tha:
“E vetmja gjë që dimë është se ai nuk është i disponueshëm për këtë javë dhe javën e ardhshme.”
Palmer kishte ndarë së fundmi me tifozët imazhe nga palestra në bazën e Chelsea-t në Cobham, duke treguar se po punonte për rikuperimin e tij, shkruan Gazeta Express.
Ky frakturim i gishtit të këmbës është një tjetër pengesë në rikuperimin e Palmer, i cili pritej të rifillonte plotësisht stërvitjen pas problemeve të shumta fizike gjatë sezonit. /GazetaExpress/