Kosova pa fitore ndaj Zvicrës në duelet kokë-më-kokë, sonte synon të parën - Gazeta Express
string(73) "kosova-pa-fitore-ndaj-zvicres-ne-duelet-koke-me-koke-sonte-synon-te-paren"

Futboll

Gazeta Express

18/11/2025 16:40

Kosova pa fitore ndaj Zvicrës në duelet kokë-më-kokë, sonte synon të parën

Futboll

Gazeta Express

18/11/2025 16:40

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Zvicrës janë përballur katër herë më parë – tri ndeshje zyrtare dhe një miqësore.

Nga katër përballjet paraprake, Zvicra e ka marrë një fitore, teksa tri ndeshje janë mbyllur me barazim, duke lënë Kosovën pa asnjë fitore.

Fitorja e vetme për Zvicrën erdhi më 5 shtator të këtij viti, në xhiron e parë të kualifikimeve të Botërorit 2026.

“Helvetikët” fituan 4-0 në ndeshjen e luajtur në “St. Jakob Park” të Bazelit.

Dy ndeshjet para kësaj përballje luheshin në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024, me Kosovën e Zvicrën që ishin pjesë e Grupit I.

Ndeshja e parë në ato kualifikime, e luajtur më 9 shtator 2023, përfundonte me barazim prej 2-2 në “Fadil Vokrri”.

Kosova barazoi në minutat e fundit të ndeshjes me anë të Vedat Muriqit, pasi ishte duke humbur 2-1.

Ndeshja tjetër, ajo e kthimit, e luajtur në Bazel, përfundonte me barazim prej 1-1.

Ndërkohë, ndeshja e parë mes këtyre dy kombëtareve luhej më 29 mars të vitit 2022.

Në Cyrih, ndeshja mbyllej po ashtu 1-1. Lotomba i Zvicrës barazonte për 1-1, pasi Kosova kishte dalë në epërsi me anë të Milot Rashicës.

Në këto përballje, Zvicra ka tetë gola të shënuar ndaj Kosovës, teksa kjo e fundit ka shënuar vetëm katër.

Ndeshja e pestë mes këtyre dy skuadrave do të luhet sonte, me fillim nga ora 20:45, me Kosovën që synon fitoren e parë ndonjëherë ndaj Zvicrës.

Takimi që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” i përket xhiros së fundit të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026.

Kosova është e dyta në Grupin B me dhjetë pikë, tri më pak se Zvicra që është e para.

Edhe pse me shumë pak gjasa, Kosova ende është në garë matematikisht për vendin e parë, por vetëm nëse fiton 6-0.

Edhe nëse nuk ndodh kjo, Kosova e ka të siguruar “play-offin” e Botërorit, i cili zhvillohet gjatë muajit mars të vitit të ardhshëm.

Kampionati Botëror i vitit 2026 do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë./GazetaExpress/