Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar dhe rastin me ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato të cilin e atakoi nëpërmjet një deklarate për bindjet e tij seksuale.
Berisha thotë se deklarata e tij ishte për të kundërshtuar ligjin për Barazinë Gjinore, të cilin refuzon ta pranojë.
Ndër të tjera, ai thotë se Gonzato thotë me të madhe se askush as në Luksemburg nuk i beson ato që Berisha thotë lidhur me narkoshtetin.
“Ju e keni dëgjuar reagimin e ambasadorit të BE, reagimin e fundit. Unë duhet t’u them ju dhe shqiptarëve se kundërshtitë e mia me këtë zotëri, sigurisht që kishin lidhje me ligjin që nuk mund ta pranoj kurrë, një ligj të cilin nuk e kanë pranuar 21 vende anëtare të BE.
Një ligj, të cilin Gjykata Kushtetuese franceze e ka hedhur poshtë në vitin 2016. Një ligj, të cilin Gjykata Supreme e SHBA e hodhi poshtë para dy ditësh. Një ligj, për të cilin Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg, ka shkruar se çështja e gjinisë është një çështje e vendeve anëtare dhe nuk buron nga e drejta e Bashkimit.
Dhe e morën dhe e vunë me urgjencën më të madhe. Por unë pranoj, secili duhet të mbajë pikëpamjet që ka dhe të mbrojë atë që mendon. Por atë me të cilën nuk bie dakord kurrë me të, është sepse ky zotëri së pari u thotë deputetëve të PD, dhe jo vetëm, se ai narkoshteti për të cilin flet Berisha, nuk e beson njeri as këtu as në Luksemburg.
Sigurisht se ti çon ato informacione, të cilat janë absolutisht të pavërteta, se narkoshteti është realiteti më dramatik, më tragjik i shqiptarëve. Atëherë unë i drejtoj pyetjen: na thuaj pse ikën 1 milion e 99 mijë shqiptarë gjatë viteve në narkoshtetit? Na thuaj çfarë janë këto kulla, të cilat vetëm 20 përqind i kanë nga bankat?
Na thuaj çfarë përfaqëson Adelajda Roko, motra e vëllezërve Roko, drejtoreshë e planifikimit dhe urbanistikës së përgjithshme, zëvendëse e Edi Ramës në këto funksione? Na thuaj çfarë do të thotë ky kurs me 35 përqind, i rrëzuar përtokë? Unë, zotërisë së tij dhe cilido që mohon narkoshtetin, i them me dashje ose pa dashje e mbështet Edi Ramën në platformën e tij.
Duhet t’i themi gjërat hapur siç janë, që të dimë se në ç’kushte jemi. Javën që kaloi, vjen këtu një delegacion i nderuar i Parlamentit Europian, dhe po ky zotëri, u thotë se lideri i opozitës nuk është pro-perëndimor se pëlqen MAGA-n”, tha Berisha.