Pas ndalimit të power bank-ëve në disa fluturime për shkak të rrezikut nga zjarri, linjat ajrore po ashpërsojnë rregullat edhe për një pajisje tjetër shumë të përdorur.
Sipas njoftimeve të kompanive tajvaneze EVA Air, UNI Air dhe Tigerair, dëgjueset Bluetooth, përfshirë edhe Apple AirPods, nuk lejohen më në bagazhet e regjistruara dhe duhet të transportohen gjithmonë në bagazhin e dorës.
Arsyeja është se ato përmbajnë bateri litiumi, ashtu si power bank-et, dhe gjatë përdorimit ose karikimit në kuti mund të shkaktojnë ngrohje të tepërt.
Ky vendim vjen pas një serie incidentesh me zjarre në aeroplanë, të dyshuara si të shkaktuara nga power bank-e të dëmtuara. Bateritë e litiumit mund të prodhojnë ngrohje ekstreme në rast se ndodh një shkurtim i qarkut.

Tigerair tha:
“Për arsye sigurie, pajisjet elektronike portative si kutitë e karikimit të kufjeve dhe ventilatorët elektrikë me bateri litiumi mund të transportohen vetëm në bagazhin e dorës.”
UNI Air shtoi:
“Kufjet Bluetooth (përfshirë kutinë e karikimit) klasifikohen si Pajisje Elektronike Portative (PED). Për arsye sigurie, ato nuk lejohen në bagazhet e regjistruara dhe duhet të mbahen në bagazhin e dorës.”
Edhe Autoriteti i Aviacionit të Zelandës së Re ka shkuar një hap më tej, duke ndaluar këto pajisje në bagazhet e regjistruara, duke e konsideruar kutinë e karikimit si një formë power bank-u, sipas The Sun.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Autoriteti i Aviacionit Civil (CAA) nuk ndalon përdorimin e kufjeve Bluetooth ose power bank-ëve në kabinë, por rekomandon të mos futen në bagazhet e regjistruara.
Rregullat mund të ndryshojnë sipas madhësisë së baterisë. Shumë linja ajrore lejojnë power bank-e me një vlerë jo më shumë se 100Wh në kabinë pa kërkuar leje, për sa kohë që vlera Wh është e shënuar qartë.

Gjithashtu, udhëtarët këshillohen të kontrollojnë rregullat e secilës linjë ajrore përpara fluturimit.
Kujdes me celularët në aeroport
Udhëtarët gjithashtu janë paralajmëruar për një rregull shpesh të neglizhuar: pajisja duhet të ketë bateri të mjaftueshme për t’u ndezur. Nëse telefoni ose tableti nuk ndizet gjatë kontrollit të sigurisë, mund të konfiskohet si rrezik sigurie.
Sipas GOV.UK:
“Sigurohuni që pajisjet elektronike të jenë të karikuara para se të udhëtoni. Nëse pajisja nuk ndizet kur kërkohet, nuk do t’ju lejohet të hyni në aeroplan.”
Ky paralajmërim vlen për celularë, laptopë, tableta dhe çdo pajisje elektronike të tjera që planifikoni të merrni në kabinë. /GazetaExpress/