Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim, avokatin e njohur Besart Logun i akuzuar për marrjen e shumës prej 8000 eurosh një klienti italian me qëllim ndikimin e paligjshëm tek funksionarët e drejtësisë, në këmbim të daljes nga burgu të klientit të tij.
Besart Logu akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas hetimeve të SPAK, Logu i ka marrë më datë 13 dhjetor klientit të tij, Salvatore Castorina, duke i premtuar se do të ndikonte tek prokurori dhe do ta lironte nga burgu. Paratë i janë dorëzuar avokatit nëpërmjet një agjenti të infiltruar.