Autoriteti Kombëtar i Ushqimit zbuloi krimba në çokollatat Talarki gjatë një inspektimi në magazinën e rrjetit në Katund të Ri të Durrësit. Një pjesë e produktit është bllokuar, ndërsa të gjitha çokollatat e kësaj marke janë urdhëruar të tërhiqen nga tregu. Kompania është gjobitur me 300 mijë lekë.
Pas këtij zbulimi, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet zyrtare për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, duke regjistruar procedimin penal më 11 nëntor 2025. Aktualisht po mblidhen provat e para dhe pritet të pyeten administratorët e rrjetit dhe përgjegjësit e furnizimit.