Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në tubimin përmbyllës të fushatës. Ai ka thënë se përkrahja e treguar është dëshmi e qartë e bashkimit dhe vendosmërisë për ndryshim në komunë.
“Qytetarë të mrekullueshëm të Komunës së Fushë Kosovës, faleminderit nga zemra për pjesëmarrjen tuaj spektakolare sonte! Mbështetja që na dhatë në tubimin përmbyllës ishte dëshmi e qartë se jemi një familje e madhe, e bashkuar dhe e vendosur për të ardhmen që e meritojmë,” – ka deklaruar Osmani.
Ai ka theksuar se puna e tij dhe e ekipit të LDK-së do të jetë e pandalshme, me synim përmirësimin e jetës së qytetarëve në çdo aspekt.
“Me ju dhe për ju do të punojmë pa u ndalur asnjë çast. Energjia juaj na jep forcë, besimi juaj na obligon, ndërsa 9 nëntori do të jetë dita jonë e madhe! Së bashku fitojmë. Së bashku ndërtojmë një Fushë Kosovë më të mirë,” – ka shtuar ai.
Tubimi i LDK-së në Fushë Kosovë shënoi përmbylljen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve dhe mbështetësve të Besnik Osmanit.