Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka reaguar ndaj propagandës së shpërndarë nga kundërkandidati dhe ka theksuar se në kabinetin e tij do të punojnë vetëm njerëz me vullnet të mirë për qytetin.
Ai ka bërë të qartë se prioriteti i tij është shërbimi ndaj qytetarëve, jo përkatësia partiake, dhe se nuk do të tolerojë mungesë respekti ndaj punës dhe interesit të qytetarëve.
“Është një propagandë e vazhdushme. Kanë qitë emra për drejtorë dhe pozita drejtuese, por kjo është e pa vërtetë. Në kabinetin tim do të jenë burra e gra që kanë vullnet për të punuar. Nuk më intereson se me cilën parti janë; do të jem strikt, dhe ata që nuk e respektojnë punën dhe interesin e qytetarëve, do të shkojnë në shtëpi. Shpifje nuk ka asnjë prej tyre dhe as nuk do të ketë,” tha Tahiri.
“As partia nuk më përzihet, as nuk do të më përzihen të tjerët, sepse unë kam rruar vetë vetëm me qytetarët e Mitrovicës dhe do t’u përgjigjem atyre. Si kryetar i Komunës së Mitrovicës, në kuptimin e përfaqësimit do të jem për qytetarët, ndërsa në kuptimin e punës, do të jem shërbëtor i tyre.”, deklaroi Tahiri.