Presidenti i Interit, Beppe Marotta, tha se “Nerazzurrët” dhe Milani kanë nënshkruar një marrëveshje “historike” për ndërtimin e një stadiumi të ri, i cili shpresohet të jetë gati “brenda pesë viteve”.
Marotta ishte një nga të ftuarit në një ngjarje të mbajtur të premten në mëngjes në Universitetin Bocconi, ku komentoi mbi marrjen e fundit të zonës së “San Siros” nga Interi dhe rivalët e qytetit, Milani.
“Të hënën u nënshkrua një marrëveshje historike për sportin në Milano,” tha Marotta për “Calciomercato.com”.
“Akti për marrjen në pronësi të një vendi kaq ikonik si ‘San Siro’, që përfaqëson historinë e futbollit, është një moment emocional që meriton respekt. Megjithatë, epoka moderne dhe kërkesat e futbollit kërkonin që kjo strukturë të transformohej; prandaj lindi nevoja për të imagjinuar një strukturë moderne. Nënshkrimi është një hap i parë, por ende jo vendosja e gurit të pare”, shtoi ai.
“U desh këmbëngulja e administratës së qytetit dhe e kryebashkiakut Sala, e pronarëve tanë dhe e Dr. Ralph, si dhe, nga ana e Milanit, e presidentit Scaroni,” shtoi Marotta.
“Shpresoj që ky hap i parë të na çojë drejt një stadiumi të ri brenda pesë viteve, në mënyrë që të përfshihet në listën e stadiumeve për Euro 2032”, vazhdoi ai.
Stadiumi i ri i Interit dhe Milanit do të ndërtohet pranë “San Siros”, por planet e klubeve përfshijnë prishjen e pjesës më të madhe të stadiumit të vjetër.
“Stadiumi nuk është vetëm një domosdoshmëri, por edhe një aset strategjik, sepse forcon klubin dhe rrit të ardhurat”, vazhdoi ai.
“Krahasuar me pjesën tjetër të Europës, ne po ecim me një ritëm shumë më të ngadaltë. Ajo që ndodhi në Milano duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të shërbejë si një nxitje për politikën dhe investitorët që të bashkojnë forcat për të kapërcyer ngadalësinë burokratike që është kaq tipike për vendin tone”, pwrfundoi Marotta.
Koha për marrjen zyrtare të “San Siros” dhe zonave përreth ishte vendimtare, pasi më 10 nëntor stadiumi aktual do të shpallej monument me rëndësi historike sipas ligjit italian, nëse do të ishte ende në pronësi publike.
Nëse kjo do të ndodhte, për Interin dhe Milanin do të ishte shumë më e vështirë të prishnin “San Siron” si pjesë e planeve për stadiumin e ri./GazetaExpress/