Aston Villa arriti një fitore 2-0 ndaj Maccabi Tel Aviv në kuadër të Ligës së Evropës, por ndeshja e cila u zhvillua të enjten në Villa Park, u shoqërua me tensione politike dhe protesta jashtë stadiumit.
Qindra mbështetës pro-palestinezë u mblodhën në Birmingham, duke kërkuar që ndeshja të anulohej dhe përfshirja e ekipit izraelit të Maccabi Tel Aviv në garat ndërkombëtare të pezullohej. Ndërkohë, një grup më i vogël mbështetësish pro-izraelit marshuan drejt stadiumit për të kundërshtuar këtë kërkesë dhe për të shprehur solidaritetin me tifozët izraelitë.
Përballë këtij tensioni, policia britanike kishte vendosur mbi 700 oficerë në zonë. Gjatë protestave, 11 persona u arrestuan, përfshirë pesë individë të dyshuar për shkelje të rendit publik me nxitje raciste. Një tjetër u ndalua për dyshime për posedim droge, ndërsa një person tjetër u arrestua pasi tentoi të hidhte fishekzjarre në stadium. Megjithatë, ndeshja kaloi pa incidente të mëdha dhe u zhvillua në kushte të tensionuara, shkruan BBC, – përcjellë Gazeta Express.
Në fushë, Aston Villa pati një paraqitje të dobët në pjesën e parë dhe u shfaq e pafuqishme. Maccabi Tel Aviv ishte afër të kalonte në avantazh, kur Dor Peretz pati një goditje të fuqishme, por që topi kaloin mbi traversë.
Në minutat shtesë të pjesës së parë, Villa kaloi në avantazh me një gol të shënuar nga Ian Maatsen nga një kënd i ngushtë. Pjesa e dytë e ndeshjes ishte më e qetë për vendasit, që shënuan edhe golin e dytë përmes Donyell Malen nga pika e penalltisë, duke mbyllur takimin me një fitore 2-0.
Ky rezultat e mban Aston Villa në vendin e gjashtë në grupin e Ligës së Evropës pas katër ndeshjesh dhe rrit shanset e kalimit në fazën e eliminimit, pas humbjes surprizuese 2-1 ndaj Go Ahead Eagles muajin e kaluar.
/GazetaExpress/