Dusan Vlahovic barazoi golin e hershëm të Maximiliano Araujo-s, por nuk mjaftoi që Juventus të siguronte fitoren e parë në Ligën e Kampionëve pas ardhjes së Luciano Spallettit në stol.
Ylli kosovar, Edon Zhegrova luajti në ndeshje nga minuta e 72-të, kur e zëvendësoi Conceicaon.
Bianconerët shkarkuan Igor Tudor vetëm tetë ditë më parë, ndërsa nën drejtimin e përkohshëm të Massimo Brambilla-s fituan 3-1 ndaj Udineses. Debutimi i Spallettit erdhi me një fitore 2-1 në fushën e Cremoneses, por përballja me Sportingun solli më shumë vështirësi. Lloyd Kelly, Gleison Bremer dhe Juan Cabal munguan për shkak dëmtimi, ndërsa Kenan Yildiz u rikthye nga një dëmtim në gju dhe Teun Koopmeiners u konfirmua në rolin e tij të ri mbrojtës.
Skuadra portugeze, që kishte fituar ndaj Kairat Almaty dhe Marseille, por humbur 2-1 me Napolin, mbërriti në Torino me besim të lartë.
Presioni ishte i madh mbi Juventusin, që ende nuk kishte shënuar fitore në Champions pas barazimeve spektakolare me Borussia Dortmund dhe Villarreal, si dhe humbjes 1-0 ndaj Real Madridit.
Sportingu zhbllokoi shifrat në “Allianz Stadium” pas një aksioni të shpejtë nga e djathta në të majtë – Francisco Trincao asistoi për Maximiliano Araujo, i cili gjuajti saktë dhe topi përfundoi në rrjetë pasi goditi shtyllën e largët.
Portugezët ishin pranë golit të dytë kur goditja e Trincaos u devijua nga Koopmeiners dhe u përplas në traversë, duke e kapur në befasi portierin Michele Di Gregorio.
Juventusi reagoi me Vlahovic, por Rui Silva bëri dy pritje të jashtëzakonshme – fillimisht në një goditje me kokë nga afër, pastaj në një goditje të ulët drejt cepit të portës.
Në minutën 66, Khephren Thuram u fut fuqishëm nga e majta dhe pasoi në zonë, ku Vlahovic rrëshqiti për të shtyrë topin në rrjetë dhe për të barazuar shifrat në 1-1.
Në fund, Jonathan David kishte mundësinë e artë për të siguruar fitoren, por Rui Silva bllokoi në mënyrë akrobatike me majat e gishtave, ndërsa Filip Kostic pa goditjen e tij devijuar mbi traversë në aksionin e fundit të ndeshjes./GazetaExpress/