Doli nga shtypi libri më i ri me poezi i Ndue Ukaj - Gazeta Express
string(50) "doli-nga-shtypi-libri-me-i-ri-me-poezi-i-ndue-ukaj"

Arte

Gazeta Express

04/11/2025 14:57

Doli nga shtypi libri më i ri me poezi i Ndue Ukaj

Arte

Gazeta Express

04/11/2025 14:57

Ka dal nga shtypi, libri më i ri me poezi i autorit Ndue Ukaj, “Mund të jetë si në fillimet e kohëve”, nga shtëpia botuese “Onufri”.

“Mund të jetë si në fillimet e kohëve”

Sot është ditë e re dhe mund të jetë
si në fillimet e kohëve.

Qielli është i kthjellët si një stinë e hareshme,
ku rrëshqasin sytë e tu kërkimtarë.

Ti mos lejo askënd ta ngulfatë bulëzimin e zemrës sate.
Qielli është i bukur si një enë e mbushur lumturi
dhe kujto se vetëm zemrat e bulëzuara japin jetë.

Ky mëngjes i bardhë si bora
është çast kur sytë duhet të lirohen
nga imazhet e shkretuara,
nga ëndrrat e zeza
dhe të ecin ditës së re me mendime të reja.

Dhe në një ditë të re
mund të futesh në një kopsht të bukur,
ku gjithçka mund të kthehet në pranverë,
duke ta kujtuar se dielli
përherë gjen të çarat nëpër mjegull
dhe të prek,
dhe të prek butësisht,
dhe të prek ëmbëlsisht,
si duart e një dashurie përvëluese.

Se një ditë e re është njëlloj përsëdytje e krijimit,
ku ti mund të krijosh gjithçka të bukur,
gjithçka të bukur që nuk ka ndodhur kurrë më parë
dhe nuk ka mundësi të përsëritet kurrë më si atë ditë

Ndue Ukaj ka lindur më 2 shtator 1977 në Viti të Kosovës. Ai është poet, prozator, kritik letrar dhe publicist.  Ukaj është autor i librave: “Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, studim, AIKD, 2004; “Ujëvarat e metaforave”, poezi, M&B, 2008; “Godo nuk vjen” poezi, Lulu Press, 2010; “Arka e shpëtimit” poezi, Drita, 2012; “Gjithmonë diçka mungon”, poezi, OM, 2017; “Krijimi i dashurisë”, përmbledhje e përzgjedhur poetike, botuar nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit, 2017; “Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore”, ese, Onufri, 2019; “Mbretëria e ëndrrave”, tregime, Onufri, 2021, “Retë prej drite”, Onufri 2022, “Dritarja e Marin Shkrelit”, roman, Onufri, 2023 “Shtegu i të verbërve”, tregim, Onufri, 2024 “Rugova-prijësi intelektual”, Fondacioni “Ibrahim Rugova”, 2024. Është fitues i Çmimit “Shkrimtari ma i mirë” i Panairit të librit në Shkodër, “Libri të ban mirë”.

Libri me poezi “Godo nuk vjen” u laureua me Çmimin Kombëtar ”Azem Shkreli” për librin më te mirë me poezi të botuar në vitin 2010, kurse në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, “Ditët e Naimit”, u laureua me çmimin për poezinë më të mirë. Ka fituar edhe çmime e vlerësime tjera letrare.

Poezitë dhe tregimet e tij janë përkthyer në anglisht, spanjisht, italisht, rumanisht, finlandisht, kinezisht, suedisht, turqisht dhe janë botuar në libra, revista dhe antologji të poezisë. Ukaj është anëtar i PEN-it në Suedi.