Xherdan Shaqiri fiton betejën ligjore, nis ndërtimin e vilës luksoze në Zvicër - Gazeta Express
string(77) "xherdan-shaqiri-fiton-betejen-ligjore-nis-ndertimin-e-viles-luksoze-ne-zvicer"

Futboll

Gazeta Express

04/11/2025 11:11

Xherdan Shaqiri fiton betejën ligjore, nis ndërtimin e vilës luksoze në Zvicër

Futboll

Gazeta Express

04/11/2025 11:11

Pas më shumë se dy vjetësh pritje dhe polemikash, Xherdan Shaqiri më në fund ka marrë dritën jeshile për të ndërtuar shtëpinë e tij të ëndrrave në Zvicër.

Projekti, i cili kap vlerën e rreth 2,8 milionë frangave zvicerane, do të ngrihet në qytetin Rheinfelden, në kantonin Aargau, aty ku ylli i kombëtares zvicerane dëshiron të krijojë rezidencën e tij personale.

Historia e ndërtimit të vilës ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë gjyqësore. Fillimisht, në gusht të vitit 2022, autoritetet komunale i dhanë Shaqirit lejen e ndërtimit. Por menjëherë pas kësaj, disa banorë të zonës shprehën kundërshtime, duke çuar çështjen në Gjykatën Administrative të Aargaut. Në janar të vitit 2024, kjo gjykatë anuloi lejen, duke ngrirë të gjithë projektin.

Më pas, çështja shkoi në Gjykatën Supreme Federale, e cila vendosi ta rikthente rastin në shkallën e parë për rishqyrtim. Pas një procesi të gjatë, Gjykata Administrative ka dhënë tashmë pëlqimin për ndërtim, por me disa kushte specifike, ndër to edhe detyrimi që në dritaret e shtëpisë të vendosen perde për të shmangur ndriçimin e tepërt që mund të shqetësojë fqinjët.

Megjithatë, pavarësisht këtij detaji teknik, Shaqiri ka dalë si fitues i padiskutueshëm në betejën ligjore. Mediumi zviceran 20 Minuten raporton se banorët kundërshtues do të duhet të paguajnë shpenzimet gjyqësore në vlerë prej 7.777 frangash, si dhe t’i kompensojnë Shaqirit 6.600 franga dhe komunës së Rheinfeldenit 4.125 franga për shpenzimet ligjore.

Në këtë mënyrë, pengesat burokratike janë hequr dhe futbollisti i Chicago Fire, që ka luajtur për klube si Bayern Munich, Liverpool dhe Lyon, mund të nisë më në fund ndërtimin e rezidencës së tij moderne – një projekt që simbolizon kthimin e tij përfundimtar në vendlindjen e suksesit të tij sportiv.