Ish-konkurrentja e “Për’puthen” rrëfen publikisht për pamjen, pasiguritë dhe ndërhyrjet estetike: “Kush kërkon shemti, do ta gjejë kudo.”
Antonela Berisha, një nga figurat më të njohura të ekranit dhe rrjeteve sociale, ka habitur ndjekësit me një rrëfim shumë personal në profilin e saj në Instagram.
Pas qarkullimit në rrjet të një fotografie të vjetër të saj — e marrë nga dokumenti i identitetit në moshën 12-vjeçare — Antonela vendosi të përballet publikisht me imazhin dhe diskutimet që kanë nisur nëpër portale.
Në vend që të heshtte, ajo publikoi vetë foton e vjetër, duke e shoqëruar me një mesazh të gjatë e të ndjerë, ku flet hapur për pasiguritë e saj, për ndërhyrjet estetike dhe për mënyrën se si shoqëria gjykon pamjen e grave.
Mesazhi i plotë i Antonelës
“Publiku më njeh për atë që jam sot, por jo për atë që kam qenë dje. Nuk e bëj këtë postim për shantazhe apo për vëmendje, por për t’u treguar të gjitha vajzave që nuk duhet të kenë turp nga rruga e tyre.”
Antonela shtoi se fotografia e vjetër nuk është arsye për turp, por një kujtesë e rrugës që ajo ka bërë në ndërtimin e vetëbesimit:
“Nuk kam menduar asnjëherë që jam e bukur sipas standardeve konvencionale të bukurisë, dhe gjatë jetës sime – si shumë vajza të tjera – kam pasur vështirësi në pranimin e vetes dhe në krijimin e vetëbesimit. Bota e televizionit dhe bota shqiptare të përçmojnë sepse je e shëmtuar, ama të përçmojnë edhe sepse je e bukur.”

Në postimin e saj, Berisha renditi hapur edhe ndërhyrjet që ka bërë ndër vite, duke treguar transparencë të plotë:
“Kam bërë otoplastikë, rinoplastikë dhe disa procedura jo-invazive si filler-a (të cilat më vonë i kam shkrirë). Por kam kuptuar se kush kërkon të gjejë të metë, do ta gjejë gjithmonë. Kush kërkon të shohë bukurinë, do ta shohë.”
“Nuk shantazhohem nga pamja ime”
Antonela i drejtoi një mesazh të fortë mediave dhe ndjekësve që përpiqen të gjykojnë vajzat sipas pamjes:
“Sot, në moshën 29-vjeçare, nuk pranoj më të më diktohet mënyra se si duhet të dukem apo të jem. Nuk shantazhohem nga gjëra kaq të natyrshme si pamja që më ka dhënë Zoti. Këshilloj të gjitha vajzat të mos bëhen viktima të standardeve të paarritshme të bukurisë, por të mësojnë ta duan veten dhe të gjejnë kurajon të jenë vetvetja.”
Postimi i saj është pritur me shumë komente mbështetëse nga ndjekësit dhe personazhe publikë, të cilët e kanë vlerësuar për guximin dhe sinqeritetin.
Një mesazh për vetëpranimin
Me këtë reagim, Antonela Berisha jo vetëm që mbylli gojët e kritikëve, por dha një mesazh të rëndësishëm për vajzat dhe gratë e reja që ndihen nën presionin e standardeve të pamundura të bukurisë në rrjete sociale.
Në një kohë kur shumë figura publike zgjedhin ta fshehin të shkuarën apo ndërhyrjet e tyre, ajo vendosi ta tregojë me transparencë historinë e vet — duke e kthyer “fotografinë e fëmijërisë” nga një shantazh në një deklaratë fuqie personale. /GazetaExpress/