Shqyrtimi i fundit i qasjes në pornografi në Britani ka shkaktuar një rënie të ndjeshme të vizitorëve në faqet më të njohura për të rritur.
Sipas Pornhub, faqja më e vizituar për përmbajtje të rritur në Mbretërinë e Bashkuar, numri i vizitorëve britanikë ka rënë 77% që nga korriku.
Ky muaj shënoi hyrjen në fuqi të Online Safety Act, ligjit britanik që vendos disa nga rregulloret më të rrepta në botë për qasjen në pornografi online.
Që nga 25 korriku, vizitorët duhet të verifikojnë se janë mbi 18 vjeç, duke përdorur njërën nga mënyrat: karta krediti, foto e ID-së ose një selfie për të vlerësuar moshën.
Qëllimi i rregullave është të vështirësohet qasja e të miturve në përmbajtje të eksplicite. Efekti ka qenë i menjëhershëm: një rënie drastike në numrin e britanikëve që shikojnë pornografi.

Mark Jones, partner në firmën ligjore Payne Hicks Beach, e përshkroi këtë rënie si “dramatike”.
“Lajmi që Pornhub ka humbur 77% të trafikut britanik që nga korriku, pas hyrjes në fuqi të procedurave të verifikimit të moshës sipas Online Safety Act, është një shifër e jashtëzakonshme,” tha ai.
Ligji kërkon nga operatorët e platformave online që të parandalojnë fëmijët nga qasja në përmbajtje të dëmshme, duke përfshirë pornografi, përmbajtje që inkurajon vetëdëmtimin ose vetëvrasjen, sfida të rrezikshme, dhunë të rëndë ose përhapje urrejtjeje.
Shkelësit e ligjit mund të gjobiten deri në 18 milion paund ose 10% të të ardhurave globale, ndërsa në raste ekstreme, kompanitë mund të ndalohen nga funksionimi në Britani.
Operatorët e pornografisë kanë shtatë mënyra për të verifikuar moshën e vizitorëve, duke përfshirë ID me foto, përllogaritje të moshës përmes fytyrës, kontroll me rrjetet celulare, kontrolle me kartë krediti, email, shërbime identiteti digjital dhe open banking.
Hulumtimet tregojnë se një nga dhjetë fëmijë britanikë të moshës 8–14 vjeç vizitojnë faqet e pornografisë të paktën një herë në muaj. Një studim i fondacionit Internet Matters ka gjetur se 7 nga 10 fëmijë 9–13 vjeç janë ekspozuar ndaj përmbajtjeve të dëmshme online, përfshirë fjalorin e urrejtjes dhe dhunën.
Profesor Elena Martellozzo, drejtuese e Childlight European Hub, e konsideroi rënien e trafikut në Pornhub si “një fitore të madhe për mbrojtjen e fëmijëve”.
“Fëmijët kanë qenë gjithmonë vetëm një klik larg përmbajtjes së eksplicite. Kjo masë praktike ndihmon që hapësirat për të rriturit të jenë për të rriturit dhe mbron të rinjtë nga përmbajtjet e dëmshme,” tha ajo.
Të dhënat e fundit tregojnë gjithashtu një rënie 56% në kërkimet për pornografi në Google që nga hyrja në fuqi e ligjit.
Çfarë është Online Safety Act?
Online Safety Act 2023 vendos detyra të reja për kompanitë e mediave sociale dhe motorët e kërkimit për të mbrojtur përdoruesit e tyre. Ligji ka fokus të veçantë te fëmijët, duke kërkuar që platformat të parandalojnë qasjen e tyre në përmbajtje të dëmshme ose të papërshtatshme për moshën dhe të sigurojnë mënyra të qarta për raportimin e problemeve.
Përdoruesit e rritur gjithashtu përfitojnë, pasi platforma duhet të jenë më transparente për përmbajtjen e mundshme të dëmshme dhe t’u japin njerëzve kontroll mbi llojet e përmbajtjes që dëshirojnë të shohin. /GazetaExpress/