Susan Edna Bassnett (1945), teoriciene e përkthimit dhe studiuese e letërsisë krahasimtare. Ndër libra e saj më të njohura, ‘Translation Studies’ (1980) dhe ‘Comparative Literature’ (1993).
MË SHUMË SE FJALË
Nga Susan Bassnett
Fëmijët e mi të vegjël po mësojnë italisht dhe po del të jetë një përvojë përnjëmend e lumtur për të dy. Ata janë rritur me gjuhën që vorbullonte përreth tyre dhe mund të kuptojnë bukur mirë, por deri më tash nuk e kanë ndjekur kurrë ndonjë kurs formal që do t’i mësonte ata më thellësisht rreth gramatikës bazike ashtu si edhe të provojnë të argëtohen edhe më shumë. Prore kam pasur dyshime për baashkëbisedimin si metoda e vetme, duke qenë se e kam mësuar një gjuhë në atë mënyrë, për të harruar pastaj pothuajse gjithçka, ngase nuk kisha një kornizë strukturore mbi të cilën do ta mbështesja njohurinë time. Sidoqoftë, duke i lënë anash për një moment paragjykimet e mia, ajo që e kishte kapluar përnjëmend imagjinatë e tyre në këtë kurs ishte puna që kishin bërë me gjestikulimet me dorë.
Ne shpesh harrojmë se të nxësh një gjuhë kërkon shumë më shumë se fjalët, edhe pse mund të flasim fare vagullt rreth ‘gjuhës së trupit’. Kultura të ndryshme kanë mënyra të ndryshme fizike të shprehjes, nga mënyra se si përshëndesin njëri-tjetrin deri tek afërsia me të cilën mund të qëndrojnë ose ulen pranë njëri-tjetrit. Lehtësia me të cilën burrat indianë ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit në rrugë është befasuese kur e shohin për herë të parë evropianët, siç është mënyra se si, në Indinë Jugore në veçanti, disa njerëz të caktuar mund të përdorin muskujt e qafës së tyre për t’i lëvizur kokat e tyre butësisht nga njëra anë në tjetrën, diçka për të cilën unë kurrë nuk kam qenë e zonja. Shtrëngimi i dorës është gjest mirësjelljeje në disa kontekste, por është ndërhyrje në hapësirën personale të tjetrit në disa raste të tjera. Sistemi japonez i përkuljes është i padepërtueshëm për të huajt dhe ne përherë e bëjmë gabimisht herën e parë nëse ndajmë mendjen të përkulemi për të përshëndetur kur jemi në Japoni. Nuk ka absolutisht sistem universal të përshëndetjes, ashtu siç nuk ka sistem universal për të thënë po ose jo – në disa raste po-ja nënkuptohet nga një miratim me kokë, në rastet e tjera nganjëherë nga një tundje e kokës, një gjest që nënkupton jo-në ngado nëpër Evropën perëndimore dhe Amerikë. Përkthyesi që has frazën në një roman ‘he nodded assent’ duhet të alternojë gjestin, ose do të rrezikojë të ngatërrojë lexuesin kur e përkthen në gjuhën ku sistemi i mohimit kërkon tundjen e kokës.
Nëpër aeroporte ka një mori librash që ofrojnë këshilla të sjelljes ndërkulturore, duke paralajmëruar se çka duhet ose nuk duhet të bëni kur udhëtoni nëse doni të lini përshtypje të mirë. Disa sosh njëmend paralajmërime ndihmuese, si të mos i çoni mikpritësit lule të mblshtjella në letër kur jeni në Gjermani, apo të mos u dilni përpara me bime krizanteme në Evropën jugore, ku lulet e tilla asociohen me varrezat, por unë jam e mahnitur nga ajo se sa të gabueshme mund të jenë nganjëherë disa prej atyre guidave të suksesit të çastit ndërkulturore. Njerëzit që mbështeten në to në të vërtetë mund të krijojnë me servilizëm probleme aty ku nuk ka të tilla. Jo shumë kohë më parë isha duke e organizuar një darkë në universitetin tim dhe kisha dërguar një gjysmë faqeje me udhëzime se si të përshëndesnin një dinjtar që vjen për vizitë, e cila kulmonte me paralajmërimin e rreptë që të mos ia shtrëngonin dorën, meqë ajo do ta refuzonte atë formë të përshëndetjes. Për këtë arsye unë u tregova serioze dhe i mbajta duart e mia anash derisa i rashë në të se ajo po ua zgjaste dorën e saj dhe po iu buzëqeshte të gjithëve, kështu që edhe ne ia zgjatëm dorën dhe bëmë muhabet gjithë mbrëmjen. Kurrë nuk e kam marrë vesh pse unë kisha bërë gjithë ato paralajmërime.
Disa vite më parë, Olympic Airlines nisi një fushatë vetëdijësuese, që mëtonte të emfazonte ‘O’-në e Olympic. Magazinat kishin një paralajmërim prej një faqeje të plotë me katër fotografi të udhëtarëve biznesorë, tre burra dhe një grua në forma të ndryshme të veshjes kombëtare, të gjithë duke e ngritur dorën e djathtë dhe duke formuar O-në me gishtin tregues dhe gishtin e madh. Njëri prej studentëve të mi ma tërhoqi vëmendjen për këtë në klasë, duke mos besuar se një gjest që quhet i pacipë në disa vende mund të përdoret nga një kompani ndërkombëtare në një mënyrë në dukje të pafajshme. Njoftimi u hoq nga përdorimi pas një kohe të shkurtër, mbase për shkak se edhe dikush tjetër ia kishte tërhequr kompanisë ajrore vërejtjen për atë gafë.
Duke udhëtuar nëpër Irlandë nja 30 vjet më parë me tim shoq irlandezo-amerikan, më duhej t’ia shpjegoja pse njerëzit që na e kishin bërë me dorë hareshëm nisën të na i tregonin grushtet kur ai ua ktheu përshëndetjen me shenjën V nga mbrapa timonit. Në fillim ai ishte i prirë të mendonte se ishte targa britanike, por kur ia shpjegova se të bësh shenjën V për Fitore mund të jetë skajshmërisht denigruese nëse i ngre gishtërnjtë në mënyrën e gabuar, ai u qetësua dhe pastaj ua bënte thjesht me dorë.
Në orën e italishtës ua kishin mësuar një mori gjesesh me dorë, që përfshinin rrudhjen e krahëve, ngritjen e dy gishtërinjve për të shmangur syrin e keq dhe duart e hapura me krahët e ndrydhur për gjoksit, të shoqëruara me pyetjen ‘Ëh?’ që mund të nënkuptojë turlifarë gjëje, por kryesisht se ti nuk je duke e marrë si të rëndësishme atë që sapo është thënë. Vajza ime ishte shumë e mirë në këtë sa shokët e klasës e kishin pyetur se si i dinte gjithë këto dhe ajo ishte përgjigjur se ato ishin gjestet me të cilat ishte rritur, gjestet e së ëmës.
Sidoqoftë, të gjitha këto gjeste kanë ardhur tek unë në mënyrë të pavetëdijshme. Nuk jam e vetëdijshme për gjestet që bëj; ato janë tamam pjesë e jetës dhe historisë sime. Jo shumë kohë pas orës së gjuhës së fëmijëve të mi, ma treguan një video timen në ekzaminimin doktorial në Finlandë të para disa viteve, duke tundur duart e mia përreth si mulli me erë. Në të vërtetë, jo vetëm që tundja krahët, por edhe mbaja duart e mia të lidhura si Uriah Heepishi, dhe, që të paraqisja argumentet e mia, zgjasja krahët dhe ktheja duart te gjoksi im në një lloj gjesti të përqafimit. Ishte magjishëm e tmerrshme ta shihja dhe pyesja veten se sa studentëve ndër vite do t’ua kem prishur ditën me atë që atyre do t’u jetë dukur si një sjellje gjestore bizare, gjë që ishte krejtësisht e pavetëdijshme nga ana ime. Si do ta kenë marrë këtë në FInlandë, ku gjestikulimi është i tkurrur në minimum, kurrë s’do ta di, duke qenë se mikpritësit e mi ishin tepër të sjellshëm në mënyrën e tyre nordike të të shprehurit.
Mua më duket e adhurueshme të mësosh gjuhën e gjesteve në të njëjtën kohë që je duke mësuar një gjuhë të huaj. Nëse ndonjëherë do të mësojmë domethënien e ekstra-verbales, atëherë kjo duket si një rrugë e mbarë për t’ia filluar.
Fjalët përherë thuhen në një kontekst dhe mënyra se si ato thuhen, të shoqëruara nga gjestet e posaçme, i shton shtresat e kuptimësisë në një shkëmbim komunikativ. Të kuptosh se si operojnë kulturat e tjera është pjesë vitale e përkthimit dhe interpretimit, prandaj të jesh në gjendje të lexosh gjuhën e shenjave që i shoqëron (ose zëvendëson) fjalët është po aq e rëndësishme sa të jesh në gjendje të përkthesh vetë fjalët. Për përkthyesin letrar është thelbësore të jetë në gjendje të kapë domethënien e gjestit të përshkruar në një roman, ose të treguar në një skenë teatri, po aq sa të të gjejë gjeste zëvendësuese që mund të kenë kuptim për audiencën e tyre nëse del të jetë e mundshme kjo, ose të sjellë sqarime, nëse nuk mund të gjendet zëvendësuesi ekuivalent.
Çuditërisht, gjestet jo vetëm që ndryshojnë në kultura, ato po ashtu ndryshojnë në kohë. Romancieret e fillimit të shekullit XIX si Mrs Gaskell apo Charlotte Brontë që kanë shkruar me ndjeshmëri të lartë rreth zakoneve të përditshme të njerëzve derisa i vëzhgonin ata, regjistrojnë një larmi gjestesh që do të mund të mos kishin të njëjtën domethënie sot. Një gjest i përsëritur shpesh është çokitja me gishta në tavolinë, qoftë duke pritur për pjatat e tjera që duhet të shërbehen, qoftë duke pritur të fitosh vëmendjen e shitësit në dyqan. Kjo mund të ketë qenë sjellje e pranueshme në shoqërinë e kulturuar angleze në vitet 1830, por nëse dikush çokit gishtërinjtë e tij në tavolinë në shtëpinë time derisa është duke pritur t’ia shërbej pudingun, kam frikë se mund të mos jetë i ftuar më. Një gjesti i tillë i prekshëm i padurimit mund të shihet si një mënyrë e keqe sot, ndërsa dje mund të ishte thjesht e paqortueshme.
Të nxësh të lexosh gjuhë të ndryshme gjestore është një etapë jetësisht e rëndësishme e të nxënit të të kuptuarit, që të dyja verbalisht dhe fizikisht, të kulturave të tjera. T’i mësosh nxënësit e gjuhës rreth mënyrës se si folësit amëtarë të gjuhës që janë duke e studiuar ata lëvizin dhe interaktojnë është po aq e rëndësishme sa t’ua mësosh atyre fjalorin bazik dhe strukturat e fjalisë. Ne prapë mund të përdorim gabimisht përkuljen japoneze, por tekembamja mund të mësojmë diçka rreth kodifikimit të përkuljes dhe, me shpresë, do të mësojmë të mos fyejmë njerëzit me të cilët po përpiqemi të komunikojmë duke bërë atë që për ata është gjest fyes. Epo, i lumtë njëmend mësuesit të fëmijëve të mi – do të doja që mësuesit e tjerë të gjuhës të jenë aq të ndritshëm.
/Botuar së pari në ITI Bulletin January–February 2008.
/Marrë nga Susan Bassnett, ‘Reflections on Translation’, Multilingual Matters, 2011
/Përkthimi Gazeta Express