Mediat ndërkombëtare, përfshirë Neue Zürcher Zeitung, Deutsche Welle dhe Frankfurter Allgemeine Zeitung, po e shtrojnë gjithnjë e më seriozisht pyetjen nëse Serbia është bërë një pikë strategjike për operacionet ruse në Europë dhe Ballkan. Nëse kjo politikë e dyfishtë e Vuçiqit do të vazhdojë të funksionojë, apo nëse do të sjellë pasoja të rënda gjeopolitike për Serbinë, mbetet për t’u parë. Por sinjalet nga Perëndimi janë të qarta: “Beogradi është bërë problem.”
Një artikull i publikuar së fundmi në gazetën prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), e transmetuar edhe nga Deutsche Welle, ka ngritur shqetësime serioze për rolin që Serbia po luan në përpjekjet e Rusisë për destabilizimin e Europës, me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor.
Gazeta thekson se politika e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të balancuar marrëdhëniet midis Rusisë, BE-së, SHBA-së dhe Kinës po hyn në një krizë të thellë. “Beogradi, që mban lidhje të ngushta me Moskën, duhet tani të përballet me pyetjen shumë të pakëndshme: A po shërben Serbia si një bazë për përpjekjet ruse për destabilizimin e Europës?”, shkruan NZZ.
Shkrimi nis me përmendjen e zgjedhjeve të fundit në Moldavi, që u zhvilluan pa incidente të mëdha, ndonëse autoritetet atje kishin ndërmarrë masa ekstreme sigurie për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Sipas autoriteteve moldave, disa nga të arrestuarit në këtë operacion kishin kryer trajnime paramilitare në Serbi, nën organizimin e shërbimeve sekrete ruse.
Vetëm pak ditë pas këtyre zhvillimeve, edhe autoritetet serbe arrestuan dy persona të dyshuar për organizimin e trajnimeve për 150 deri në 170 shtetas moldavë dhe rumunë në territorin serb.
Një tjetër rast që ka tërhequr vëmendjen e mediave perëndimore është edhe rasti i 11 personave të arrestuar nga policia serbe, të dyshuar për vendosjen e kokave të derrit para xhamive në Paris dhe për sulme me bojë të gjelbër ndaj objekteve hebraike, përfshirë muzeun e Holokaustit dhe sinagogat. Autoritetet serbe kanë pranuar se këta persona janë trajnuar në Serbi, me urdhër të një shërbimi të huaj inteligjent, për të përhapur urrejtje dhe dhunë mbi baza fetare dhe racore.
NZZ citon ekspertë të sigurisë që thonë se është e pamundur që këto aktivitete të zhvillohen në Serbi pa dijeninë e aparatit të sigurisë – dhe për pasojë, edhe të regjimit të Vuçiqit. Gazeta thekson se që në vitin 2024 ka pasur raporte për kampe trajnimi në Serbi dhe në entitetin serb të Bosnjës që funksiononin nën ndikimin e Rusisë, por autoritetet serbe kanë heshtur.Sipas gazetës, veprimet e fundit të Serbisë – përfshirë arrestimet – mund të jenë një përpjekje për të shmangur sanksione të mundshme perëndimore, veçanërisht ato që SHBA ka paralajmëruar kundër Naftës Industriale të Serbisë (NIS), që ndodhet në pronësi ruse.
Nga ana tjetër, marrëdhëniet me BE-në janë gjithashtu në tension. Eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar së fundmi: “Kemi një problem në Beograd.” Ndërkohë, Partia Popullore Europiane ka diskutuar edhe për vendosjen e sanksioneve ndaj partisë së Vuçiqit.
Vuçiq ndodhet tani në një pozitë të vështirë. Nga njëra anë, Moska është e irrituar për shkak të raportimeve për furnizime të fshehta të armëve serbe për Ukrainën. Nga ana tjetër, Perëndimi është gjithnjë e më i shqetësuar për shtypjen e protestave në Serbi dhe për rolin e Beogradit në përpjekjet ruse për të shkaktuar trazira në rajon.
Në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, Vuçiq ka hedhur poshtë akuzat ruse si “më të fyerat që i janë bërë ndonjëherë Serbisë”, ndërsa njëkohësisht ka akuzuar edhe shërbimet perëndimore për mbështetje të protestave në Serbi – pa dhënë prova.