Fjalimi i plotë - Rektori i UP-së nuk u përmbajt para Osmanit e Kurtit: Jeni personifikimi i përpjekjeve për liri, për Kosovë - Gazeta Express
string(121) "fjalimi-i-plote-rektori-i-up-se-nuk-u-permbajt-para-osmanit-e-kurtit-jeni-personifikimi-i-perpjekjeve-per-liri-per-kosove"

Lajme

Gazeta Express

07/10/2025 15:54

Fjalimi i plotë – Rektori i UP-së nuk u përmbajt para Osmanit e Kurtit: Jeni personifikimi i përpjekjeve për liri, për Kosovë

Lajme

Gazeta Express

07/10/2025 15:54

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti e nderuan vetëm se shkuan për t’i marrë çmimet “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”, rektorin e UP-së, Arben Hajrullahun.

Një ceremoni që u tha se i “frymëzon brezat e ardhshëm”, u cilësua nga shumëkush si e turpshme, pasi UP-ja po i nderonte dy ish-studentë, në mesin e shumë të tjerëve, në ditët e fundit të një fushate zgjedhore.

Hajrullahu e nisi me histori të UP-së fjalën e tij përshëndetëse, të mbushur me nderime e fjalë të zgjedhura për dy pushtetarët.

“Pa e tepruar”, Hajrullahu mundi të thoshte se presidentja dhe kryeministri në detyrë “na kanë bërë e vazhdojnë të na bëjnë krenarë brenda dhe jashtë vendit, gjithandej”.

Rektori u shprehu shumë mirënjohje presidentes dhe kryeministrit në detyrë, të cilën i futi në falënderimet për përpjekjet “si për Universitetin e Prishtinës, ashtu edhe për lirinë, për Republikën e Kosovës”. Ata të dy, Hajrullahu tha se janë “vetë personifikimi i këtyre përpjekjeve ndër gjenerata”.

Osmani dhe Kurti, sipas tij, e bëjnë “fort krenare edhe shtëpinë tonë të përbashkët, Universitetin e Prishtinës”.

“Me këtë rast, kam nderin e veçantë që në emër të Universitetit të Prishtinës t’jua dorëzoj Çmimin ,,Alumni i Nderit i Universitetit të Prishtinës”. Faleminderit e na priftë e mbara!”.

Më poshtë, fjalimi i plotë i rektorit Arben Hajrullahu, i publikuar nga UP-ja:

Shkëlqesia juaj, Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu,

Shkëlqesia juaj, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,

Të nderuar zyrtarë institucionalë e shtetërorë,

Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues, dekanë, profesorë e studentë të UP-së,

Zonja e zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Në vigjilje të Ditës së Flamurit, më 27 nëntor 1968, njerëzit e kësaj toke dolën në rrugë për të demonstruar me kërkesat për Universitet, Flamur dhe për Republikë. Demonstrata u shpërnda me forcë, por pa u mbushur një vit prej saj, më 18 nëntor 1969, Kuvendi i atëhershëm i Kosovës e themeloi Universitetin e Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës ishte gjithnjë në shënjestër dhe nën mbikëqyrje, por ai mbijetoi, u rrit e u zhvillua bashkë me Kosovën. Ai arriti ta ulë ndjeshëm shkallën e lartë të analfabetizmit dhe mblodhi brenda vetes idealistë e njerëz të përndritur, të cilët edhe e krijuan bërthamën e parë të dijes, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Universiteti i Prishtinës, që i ka mbushur më shumë se 55 vjet ekzistencë, u pengua, u ndalua, u anatemua, sidomos në vitet ’90, gjatë periudhës së aparteidit, kur studentët dhe profesorët u larguan me dhunë nga objektet universitare dhe përndiqeshin sistematikisht nga aparati okupues shtetëror.

Në atë kohë të rëndë të viteve të ’90, populli, që e kërkoi universitetin me demonstrata në vitin 1968, hapi dyert e shtëpive dhe zemrat për t’iu bërë vend dhe krijuar hapësirë studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës, që ta vazhdojnë mësimin nëpër shtëpitë-shkolla. Ishte një shfaqje e jashtëzakonshme e solidaritetit, madhështisë njerëzore dhe dëshirës së pafundme për qëndresë e për dije.

Por, periudha e aparteidit nuk mund të vazhdonte përgjithmonë. Prandaj, më 1 tetor 1997, 28 vjet më parë, studentët, profesorët dhe drejtuesit e UP-së, nën udhëheqjen e Unionit të Pavarur të Studentëve, u ngritën për të kërkuar kthimin në objektet universitare. Edhe kjo protestë u shtyp dhunshëm, por u vlerësua si ngjarje, katalizator kyç, që shpejtoi proceset drejt çlirimit përfundimtar të vendit.

Pa e tepruar, mund të them se ka pak ose fare hiç universitete gjithandej në botë që i ndihmuan aq shumë përndritjes dhe shtetësisë së një shoqërie e vendi, ashtu siç bëri gjatë tërë historisë së tij Universiteti i Prishtinës. Nga ai dolën presidentë, kryeministra, burrështetas, profesorë e studentë dhe njerëz të jetës publike që na kanë bërë e vazhdojnë të na bëjnë krenarë brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar të pranishëm, krerë të jetës sonë politike, institucionale e akademike,

të drejtosh një universitet të tillë, me gjithë këtë të kaluar të lavdishme dhe arritje të shumta, edhe pse në rrethana shpesh më shumë të vështira sesa të favorshme, është nder, kënaqësi, krenari e mbi të gjitha, përgjegjësi e madhe.

Në këtë frymë, parimet e ligjshmërisë, meritokracisë, transparencës e llogaridhënies janë sa të panegociueshme, aq edhe përpjekje të përditshme të punës sonë në krye të këtij institucioni kyç të republikës sonë.

Angazhimet e përditshme tonat janë orientuar në tri drejtime:

mobilitetin e brendshëm — projektet e programet e përbashkëta të studimit mes njësive akademike të Universitetit të Prishtinës;

mobilitetin e jashtëm — sjelljen e sa më shumë profesorëve e studentëve nga universitetet e njohura botërore në UP dhe anasjelltas;

avancimin e digjitalizimit, në një botë që po ndryshon përditë e pakthyeshëm nga mjetet e inteligjencës artificiale dhe zhvillimet e hovshme teknologjike.

Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës dhe Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare janë ngjarjet kryesore tradicionale që e lidhin UP-në me jetën akademike globale, krahas takimeve e bashkëpunimeve të shpeshta me universitete tjera të njohura për rrjetëzim e prani në të gjitha kontinentet.

Për shembull, në kuadër të këtyre përpjekjeve të vazhdueshme për rritje të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, Fakulteti i Arkitekturës — krahas fakulteteve tjera që veçse kanë bashkëpunime të këtilla — do të ketë një program doktorate të përbashkët me Universitetin Teknik të Vjenës.

Ne e zgjodhëm pikërisht 1 tetorin, përvjetorin e protestës studentore të ’97-ës dhe ,,Ditën e Studentëve”, për të dhënë lajmin e mrekullueshëm se Gëzim Visoka, profesori i Universitetit të Qytetit të Dublinit dhe bashkëpunëtori në Universitetin e Oksfordit, do të jetë pjesë edhe e Universitetit të Prishtinës, Departamentit të Shkencës Politike, nga ku ai nisi dhe përfundoi studimet e tij bazike.

Po në këtë ditë të shënuar, për t’i motivuar studentët e dalluar, ua ndamë atyre për herë të parë çmimin ,,Hasan Prishtina”, në emër të njeriut të madh që shkriu tërë pasurinë dhe shteroi gjithë fuqinë e tij intelektuale e fizike për liri dhe zhvillim.

Me këtë çmim dhe çmimet tjera si: ,,Doktor Nderi”; ,,Anëtar Nderi i Universitetit”; ,,Ambasador i Universitetit të Prishtinës”; Titullin e nderit për ekselencë dhe arritje të jashtëzakonshme nga fusha e shkencave ,,Chlamys Dardanica”, kemi normuar për herë të parë fushën e rëndësishme të mirënjohjeve e nderimeve që ndan Universiteti i Prishtinës.

Për të mos harruar personalitete të rëndësishme të dijeve teorike dhe të praktikës, më 18 qershor 2025, ia ndamë titullin më të lartë ,,Doktor Nderi”, ,,Doctor Honoris Causa”, juristit japonez të së drejtës ndërkombëtare me përmasa botërore, profesorit Hisashi Owada.

Ish-kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ligjëratën e tij në Universitetin e Prishtinës me titullin ,,PSE LUFTË — Një reflektim mbi rendin publik të Bashkësisë Ndërkombëtare” e përmbylli me këtë mesazh:

,,… krijimi i Kombeve të Bashkuara me mekanizmat e vet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, së bashku me miratimin e Konventës së Gjenevës si pasqyrim i ndërgjegjes njerëzore kundër mizorive të Holokaustit, ka shtruar rrugë për të kaluar nga ,bashkësia ndërkombëtare e përqendruar te shtetet sovrane’ te ,bashkësia njerëzore e përqendruar te njeriu’.

Themelimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale mund të shihet si manifestim i kësaj vale të historisë. Në dritën e kësaj vale të historisë, ajo që ju keni arritur në Kosovë mund të vlerësohet si një fitore njerëzore më shumë sesa një fitore ndërmjet kombeve.”

Të nderuar të pranishëm, e nderuara Presidente, i nderuar Kryeministër,

kjo fitore njerëzore, ndër të tjera, nuk do të ishte e mundur pa përpjekjet e shumë gjeneratave dhe njerëzve që studiuan dhe u angazhuan fort, si për Universitetin e Prishtinës, ashtu edhe për lirinë, për Republikën e Kosovës, siç jeni edhe ju — e nderuara Presidente, i nderuar Kryeministër — vetë personifikimi i këtyre përpjekjeve ndër gjenerata.

Ju, të diplomuar të UP-së, me përpjekjet tuaja të përditshme për një shtet të së drejtës dhe një Kosovë më të zhvilluar e më të fortë, e bëni fort krenare edhe shtëpinë tonë të përbashkët, Universitetin e Prishtinës.

Me këtë rast, kam nderin e veçantë që në emër të Universitetit të Prishtinës t’jua dorëzoj Çmimin ,,Alumni i Nderit i Universitetit të Prishtinës”.

Faleminderit e na priftë e mbara!