Ballkani Perëndimor rrezikon të humbasë mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes - Gazeta Express
string(80) "ballkani-perendimor-rrezikon-te-humbase-mbi-700-milione-euro-nga-plani-i-rritjes"

Lajme

Gazeta Express

20/04/2026 15:23

Ballkani Perëndimor rrezikon të humbasë mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes

Lajme

Gazeta Express

20/04/2026 15:23

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar me shkrim gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor se rrezikojnë që deri në mesin e këtij viti të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes, për shkak të moszbatimit të reformave, mëson Radio Evropa e Lirë (REL) nga burime në Komisionin Evropian (KE).

Sipas informacioneve jozyrtare, komisionarja Kos e ka dërguar këtë letër më 17 prill në të gjitha kryeqytetet e rajonit.

Burimet e REL-it kanë konfirmuar se me këtë letër, komisionarja Kos u ka kërkuar të gjithëve vendeve të përshpejtojnë reformat e parashikuara në Planin e Rritjes, në mënyrë që të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e kësaj pakoje financiare.

Në fakt, mjetet financiare nga Plani i Rritjes janë të kufizuara në kohë. Për çdo hap reformues është paraparë një afat përfundimtar për zbatim dhe është ndarë një shumë e caktuar parash.

KE-ja ka paraparë edhe të ashtuquajturën “periudhë grejs”, e cila mundëson shtyrjen e zbatimit për një periudhë të caktuar kohore. Për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025, afati përfundimtar skadon më 30 qershor të këtij viti, ndërsa për hapat që duhej të realizoheshin në fund të vitit 2024, ky afat përfundon gjatë vitit 2026.

“Nëse nuk përmbushen, partnerët rrezikojnë të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro”, konfirmoi për REL një zyrtar i KE-së.

Ndryshe, këstin e parë ose disa mjete nga Plani i Rritjes i kanë marrë pesë shtete të rajonit, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, e cila është vonuar me miratimin e agjendës reformuese.

Fundi i qershorit të këtij viti përbën momentin kur secili vend hyn në të ashtuquajturin moment të humbjes së përhershme, nëse nuk i përmbush reformat e dakorduara më herët.

Sipas burimeve në Bruksel, humbjet e mundshme sipas shteteve, në rast se nuk ndërmerren të gjitha reformat, janë si vijon.

Kosova: 68.8 milionë euro

Shqipëria: 67.7 milionë euro

Bosnja dhe Hercegovina: 373.9 milionë euro

Mali i Zi: 15.1 milionë euro

Maqedonia e Veriut: 49.2 milionë euro

 Serbia: ndërmjet 108.7 dhe 135.9 milionë euro

Bazuar në shumën maksimale, në total mund të humben 710.6 milionë euro, që përfaqëson 11.84 për qind të financimit të përgjithshëm nga Plani i Rritjes.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.

Më 16 prill, Kosova mori 61.8 milionë euro parafinancim, pasi vendi dorëzoi dokumentet e nevojshme në KE dhe ratifikoi marrëveshjet e lidhura me këtë plan.

Ky plan, ndër të tjera, synon të dyfishojë ekonomitë e këtyre vendeve gjatë dhjetë viteve të ardhshme. /REL

Advertisement
Advertisement
Advertisement