Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest në burg për kryetarin e shkarkuar të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Ekipi ligjor i Veliajt bëri rekurs për vendimin e Gjykatës së Apelit, me argumentin se me mbylljen e hetimeve ai nuk paraqet rrezik për të ndryshuar provat.
Apeli i Posaçëm arsyetoi se “sa më i fuqishëm ose i lidhur të jetë personi aq më i madh konsiderohet potenciali i tij për të minuar hetimin ose për të ushtruar trysni të papërshtatshme”.
Nga ana tjetër mundësitë financiare të të pandehurit, Veliaj janë të mjaftueshme thotë gjykata që ai të largohet nga vendi. Kjo gjithashtu përbën një arsye sipas Apelit që ai të qëndronte në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet prej 11 shkurtit.
Këto argumente duket se edhe për Gjykatën e Lartë, janë të mjaftueshme.