Në Fletoren Zyrtare është botuar sot vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Në vendimin Nr.539, datë 25.09.2025 thuhet që “Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë, shkarkohet nga kjo detyrë, me propozimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, miratuar me vendimin nr.69, datë 23.9.2025”.
Shkarkimi i Veliajt nga Këshilli i Ministrave, u bë me propozimin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku nëse ai mungon në detyrë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje.
Këshilli bashkiak votoi me 50 vota pro miratimit të propozimit për shkarkimin nga detyra të Veliajt.
Vendimi për shkarkimin e Veliajt, i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, gjë për të cilën kreu i qeverisë Edi Rama tha se tashmë ka nisur puna. Rama ka propozuar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare të bashkisë Tiranë.
Veliaj ka 15 ditë kohë për ta ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese.