Lamine Yamal nuk arriti ta fitonte Topin e Artë mbrëmë, ndonëse po shpresonte deri në momentet e fundit.
Ky çmim prestigjioz individual përfundoi në duart e Ousmane Dembeles, pas sezonit fantastik dhe të suksesshëm me Paris Saint-Germainin, shkruan “Gazeta Express”.
E super-talenti i Barcelonës u desh të kënaqej me trofeun “Kopa”, duke u zgjedhur për të dytin vit radhazi lojtari më i mirë i ri në botë.
18-vjeçarin e ka ngushëlluar fillimisht menaxheri i tij, Jorge Mendes, i cili beson se lojtari do të fitojë shumë Topa të Artë në karrierë.
E më pas, në krahë atij i ka dalë edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i cili foli për momentet para shpalljes së më të mirit nga legjenda braziliane, Ronaldinho.
“Ishte mjaft emocionuese, sepse disa njerëz në sallë po brohorisnin: ‘Ousmane, Ousmane’ dhe disa prej nesh nga Barça po bërtisnin: ‘Lamine, Lamine’. Jam i sigurt se një rezultat i tillë do ta motivojë Laminen edhe më shumë në të ardhmen. Askush tjetër nuk i ka dy çmime ‘Kopa’ si ai. Jam i sigurt se tani Lamine do të luftojë për Topin e Artë”, deklaroi Laporta pas gala mbrëmjes së mbajtur mbrëmë në Paris. /Gazeta Express