Rubin thotë se Thaçi nuk ia përmendi ZKZ-në: Gjatë bombardimeve të NATO-s, ai thuajse çdo herë ishte në Kosovë - Gazeta Express
string(108) "rubin-thote-se-thaci-nuk-ia-permendi-zkz-ne-gjate-bombardimeve-te-nato-s-ai-thuajse-cdo-here-ishte-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

16/09/2025 14:09

Rubin thotë se Thaçi nuk ia përmendi ZKZ-në: Gjatë bombardimeve të NATO-s, ai thuajse çdo herë ishte në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

16/09/2025 14:09

Duke folur për bombardimet e NATO-s në Kosovë dhe periudhën e këtij zhvillimi historik, James Rubin ka thënë se ka qenë në kontakt të shpeshtë me Hashim Thaçin, me qëllim shkëmbimin e informacionit për ngjarjet në terren.

Derisa po merrej në pyetje nga gjyqtari Christoph Barthe, Rubin tha për Thaçin se beson që gjatë këtyre bisedave telefonike ishte shpesh në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Duke u ruajtur që të mos vritej, duke ruajtur organizatën e tij dhe popullin e Kosovës. Mendoj që më ka thanë që nuk ka qenë gjithmonë aty, por pjesën me të madhe ka qenë aty në Kosovë”, tha James Rubin.

Rubin tha se Thaçi e ka pasur një telefon satelitor dhe ka kontaktuar zakonisht në Qendrën Operative të DASh-it në mëngjes. Ky Departament ia ka kaluar thirrjen Rubinit, sipas dëshmitarit.

Ai shtoi se gjatë bisedave, Thaçi e informonte për raporte që kishte marrë lidhur me atë se çka po ndodhte në terren.

Sipas Rubinit, këto ishin kryesisht raporte për vuajtjen e civilëve brenda Kosovës. Megjithatë, ndonjëherë Thaçi mund të gabohej, tha Rubin.

“Ai mund të merrte një raport, ti thuhej diçka nga dikush, kontrollohej dhe dilte që nuk është e vërtetë”, tha Rubin, duke shtuar se informacionin e kontrollonte përpara se të plasohej në media.

Gjyqtari e pyeti dëshmitarin se a e përmendi Thaçi nëse raportet i kishte marrë nga diçka e quajtur Zbulim-Kundërzbulim. Rubin u përgjigj me ‘jo’.

Dëshmitari deklaroi se Thaçi dhe të tjerët përpiqeshin që t’i impresiononin me organizatën e tyre, por që ata nuk impresionoheshin.

Dëshmitari tha se ishte pikëpamje e tij se vendimet nuk merreshin nga Thaçi për konferencën e Rambujesë, por nga krahu ushtarak.

“Me aq sa më kujtohet mua, ky ishte prezumim dhe ajo se çfarë e kisha kuptuar unë. Nuk është se ma ka thënë zoti Thaçi e nga ku duhet ta merrte miratimin, por unë e dija që UÇK-ja e kishte të ashtuquajturën degën ushtarake dhe unë mendoj që ishte prezumim dhe kështu e kam kuptuar unë vetë nga ajo se çfarë është thënë dhe jo se ma ka thënë vetë zoti Thaçi”, tha ai.

Zyrtari amerikan po ashtu tha se kishte përshtypjen që Thaçi ishte i kërcënuar edhe pse këtë gjë nuk ia tha kurrë ai, por që i vërehej shqetësimi.

“Po përpiqem të kujtoj që dikush në ekipin tim më tha që ai është kërcënuar apo dikush në ekipin tim më tha që është i frikësuar. Në këto raste përpiqesha të bisedoj më të dhe përpiqesha të kuptoj nëse ishte e vertetë kjo apo jo. Ai kurrë nuk ma tha që është kërcënuar por kjo ishte një supozim i përgjithshëm që ai ishte i tensionuar”, tha Rubin.

James Rubin tha se i kujtohej që Thaçi i ka thënë se e vështirë ishte për të që të hynte dhe dilte nga Kosova duke kaluar përmes maleve. Tha se ishte një frikë e përgjithshme dhe se kërcënimet ishin kryesisht nga forcat serbe.

Duke u përgjigjur në pyetjet shtesë të avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari James Rubin tha se mendon që kjo gjykatë është themeluar me kërkesën e liderëve evropianë dhe amerikanë.

“Mendoj që kjo gjykatë është themeluar me kërkesë të liderëve evropianë, amerikanë, ndoshta liderëve evropianë me Qeverinë e Kosovës”, tha ai.

James Pace kundërshtoi këtë linjë pyetjesh duke thënë se nuk janë relevante. Trupi gjykues tha se është në linjë me Prokurorinë. Por, Mishetiq tha se meqë nuk vendosi trupi gjykues po tregon se kjo pyetje ka të bëjë me besueshmërinë e dëshmitarit si dhe arsyet e kritikave që ai i ka dhënë për këtë gjykatë.

Si rrjedhojë, trupi gjykues e lejoji këtë linjë pyetjesh. Ndërkaq, Rubin tha se nuk është në dijeni se cilat janë akuzat bazë ku u kërkua krijimi e kësaj gjykate.

Kjo linjë pyetjesh erdhi pasi Mishetiq i bëri pyetje dëshmitarit për akuza dhe pretendime që ishin në drejtim të krerëve të UÇK-së gjatë 25 viteve, duke përfshirë edhe raportin e Dick Martyt.

Për akuzat e Dick Martyt, dëshmitari tha se e di që nuk doli asgjë prej tyre.

Po ashtu, dëshmitari tha se nuk e dinte nëse UÇK-ja kishte shef të Drejtorisë së ZKZ-së. Por, tha se UÇK-ja kishte Njësi të Zbulimit dhe siguroheshin që të mos dilte informaion nga njësitë e tyre.

Sipas Rubinit, kjo njësi ka qenë shumë e zhvilluar.