Transparenca mesatare aktive e ministrive, Qeverisë dhe komunave për vitin 2025 është 80% (nga një maksimum i mundshëm prej 100%), e njëjtë me vitin e kaluar. Transparenca aktive e ministrive dhe Qeverisë ka rënë krahasuar me vitin e kaluar dhe është 84% (vitin e kaluar 86%). Komunat kanë ruajtur të njëjtin nivel të transparencës aktive si vitin e kaluar, pra 79%. Plot 44% e institucioneve të mbuluara e kanë përkeqësuar transparencën e tyre aktive (vitin e kaluar 19% e institucioneve ishin përkeqësuar), tregon hulumtimi Indeksi i Transparencës Aktive 2025 i Qendrës për Komunikime Civile, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Mbrojtjes, për të pestin vit radhazi, ruajti transparencën maksimale aktive prej 100%, ndërsa rezultatin prej 100% këtë vit e arriti edhe Ministria e sapokrijuar e Transformimit Digjital.
Ndër komunat, ndryshe nga viti i kaluar kur plot pesë komuna ndanin vendin e parë me transparencë aktive prej 100%, këtë vit vetëm dy – Kavadari dhe Kërçova – e ruajtën këtë vend.
Ndër rajonet, për të tretin vit radhazi, Rajoni Lindor është në vendin e parë (me të njëjtën transparencë aktive si vitin e kaluar prej 88%).
“Në vendin e fundit, me transparencë aktive të reduktuar krahasuar me vitin e kaluar, është Rajoni i Pollogut (me 71% transparencë aktive, vitin e kaluar 73%).
Si ministritë ashtu edhe komunat publikojnë më pak informacion mbi financat (ministritë 58%, ndërsa komunat 59% nga një shifër e mundshme prej 100%).
Ka pasur një pengesë të madhe në përgjigjet ndaj kërkesave për qasje të lirë në informacione publike, të cilat iu dërguan të gjitha institucioneve në të njëjtën ditë dhe me të njëjtën pyetje. Komunat u përgjigjën mesatarisht brenda 21 ditësh (vitin e kaluar në 15 ditë), dhe ministritë në 23 ditë (vitin e kaluar në 14 ditë). Përndryshe, afati ligjor është 20 ditë”, thuhet në hulumtim.
Vetëm 54% e institucioneve u përgjigjën brenda afatit maksimal ligjor prej 20 ditësh (vitin e kaluar 71% e institucioneve e bënë këtë).
Transparenca aktive paraqitet edhe në këtë uabfaqe me një pasqyrë të përgjithshme të arritjeve të secilit institucion që nga viti 2016.
Hulumtimi i plotë, gjendet në këtë LINK.
Kujtojmë se hulumtimi i fundit i QKC-së, tregoi se në vitin 2024, 80 komunat dhe Qyteti i Shkupit lidhën gjithsej 4,006 kontrata prokurimi publik me vlerë 11.7 miliardë denarë, ose 190 milionë euro. Vetëm në vitin 2024, vlera e tenderëve komunalë u rrit me 16 përqind, ose 26 milionë euro. Komunat e Shkupit, Gazi Baba, Aerodrom dhe Kisella Voda, patën rritjen më të madhe të vlerës së tenderëve. Qyteti i Shkupit humbi primatin për herë të parë dhe, me një rënie vjetore të vlerës së tenderëve prej 11.5 milionë eurosh, është në vendin e gjashtë.
tag_katrorimaqedoni_2