Shqipëria do të hapë nesër katër kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë Konferencës së 6-të Ndërqeveritare që do të mbahet në Bruksel me ftesë të Danimarkës.
Negociatat do të fokusohen në Grupin 4: “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, ku përfshihen:
Kapitulli 14 – Politika e transportit
Kapitulli 15 – Energjia
Kapitulli 21 – Rrjetet transevropiane
Kapitulli 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike
Konferenca do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre. Në takim pritet të marrë fjalën edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Sipas agjendës, punimet do të nisin në orën 08:00, ndërsa konferenca për shtyp është planifikuar në orën 09:15.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë ka hyrë në një fazë të avancuar, pasi vendi ka hapur tashmë kapituj në grupet e mëparshme: Themeloret, Marrëdhëniet e jashtme, Tregu i brendshëm dhe Konkurrueshmëria.