Shtetasi Kujtim Aliaj, 55 vjeç, është arrestuar në Portin e Durrësit, pasi tentoi të fuste në territorin shqiptar një sasi municioni dhe para të padeklaruara.
Gjatë kontrollit në kamionin që ai drejtonte, u gjetën të fshehura në kabinë 1000 fishekë për armë gjahu dhe rreth 20 000 euro. Mjeti, fishekët, eurot, pasaporta dhe telefoni i tij u sekuestruan si prova materiale.
NJOFTIMI:
Port Durrës/Kontrolle intensive për goditjen e krimeve kufitare.
Tentoi të fuste në territorin e RSh-së, 1000 fishekë arme gjahu dhe rreth 20 000 euro, pa i deklaruar, kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe vihet në pranga 55-vjeçari.
Sekuestrohen fishekët, shuma e eurove dhe kamioni ku ato ishin fshehur.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, si rezultat i kontrolleve të shtuara në hyrje/dalje, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, evidentuan dhe goditën një rast të tentativës për trafikim të municionit luftarak dhe një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi K. A., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Gjatë kontrollit në kamionin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në kabinë, 1000 fishekë gjahu, armë gjahu dhe rreth 20 000 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me kamionin, pasaportën dhe celularin e 55-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.