Moderatorja dhe aktorja e njohur Bora Zemani është gati për një rikthim të bujshëm në televizion këtë muaj. Pas një vere plot dashuri dhe udhëtime, Bora do të rikthehet para publikut shqiptar me një projekt ndryshe nga formatet e mëparshme që e kemi parë të drejtojë.
Sipas Top Channel, nga muaji shtator pritet të nisë transmetimi i emisionit humanitar “Shqiptarë për Shqiptarë”, ku Bora Zemani do të jetë sërish moderatore. Ky format i dashur për publikun sjell histori prekëse dhe raste që kanë nevojë për ndihmë, duke u kthyer në një urë solidariteti mes njerëzve.
Ky rikthim i Borës është pritur me kureshtje nga fansat, pasi emisioni nuk lidhet me spektaklet apo programet argëtuese ku ajo zakonisht spikat, por me një format humanitar që prek zemrat e shikuesve. Bashkë me të, në këtë emision është gjithmonë prezent edhe Elvis Naçi, i cili njihet për aktivitetin e tij në ndihmë të familjeve në nevojë.
Ky rikthim vjen pikërisht në kohën kur Bora po shijon një periudhë të lumtur në jetën e saj private. Ditët e fundit, moderatorja është parë duke kaluar pushimet e fundit të verës me partnerin e saj, aktorin dhe moderatorin Donald Veshaj.
Madje, gjatë ditës së djeshme, Bora ndau një mesazh tepër të ndjerë me rastin e ditëlindjes së Donaldit, duke shkruar në Instagram:
“Uroj që çdo ditë e jetës tënde të të sjellë po aq lumturi sa më sjell ti mua. Të dua pafund! ❤️ Gëzuar ditëlindjen @donaldveshaj”, mesazh që u shoqërua me disa foto të çiftit të buzëqeshur.
Pa dyshim, rikthimi i Borës në ekran me “Shqiptarë për Shqiptarë” pritet të jetë një nga momentet më të komentuara të fillimit të ri sezonit televiziv mbarëshqiptar. /GazetaExpress/