Një operacion i SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit goditi korrupsionin në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të Tiranës. Pronari i një lokali në Kombinat denoncoi se 4 inspektorë i kërkuan 1000 euro për të mos i prishur një tendë pa leje. Pas autorizimit të SPAK-ut, policia organizoi përgjime dhe simulim të dhënies së parave.
Në momentin e dorëzimit të 1000 eurove, inspektorët u kapën në flagrancë duke i fshehur paratë në një gotë plastike brenda një lokali. Në pranga përfundoi inspektori Geraldo Fuçia, ndërsa në kërkim është shpallur kolegu i tij Klajdi Zhilla, që mori paratë. Në gjendje të lirë po hetohen inspektori Edmond Çela dhe menaxheri i lokalit A.E.
Policia sekuestroi gjithashtu 3000 euro, 27 mijë lekë, një makinë Audi A6 dhe 4 celularë, ndërsa dyshohet se paratë u përfituan edhe nga biznese të tjera në këmbim të mosprishjes së tendave.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme, ndërsa vijojnë hetimet për kapjen e të shpallurit në kërkim dhe dokumentimin e plotë të skemës së korrupsionit.