Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, ku do të jetë i përqendruar i gjithë procesi i trajtimit të mbetjeve.
Në prezantimin e Reformës së Trajtimit të Integruar të Mbetjeve, Rama u shpreh se krijimi i këtij operatori parashikohet në projektligjin e ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
“Një agjenci, institucion, ndërmarrje e re, e cila do të jetë në dispozicion të gjithë Republikës, të pushtetit vendor, qytetarëve dhe të këtij misioni për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Sipas tij, i gjithë procesi i trajtimit të mbetjeve do të përqendrohet te ky operator.
“Grumbullimi dhe trajtimi i mbetjeve nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por do të jetë një proces i administruar nga ky operator kombëtar në bashkëpunim me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe në raport me të cilin bashkitë do të jenë klientë njësoj siç janë klientë të operatorëve të tjerë për të tjera shërbime”, theksoi Rama.