Janë zbardhur detaje nga operacioni policor i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Durrës, ku u arrestuan dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore: Aldi (Erald) Mustafa, 39 vjeç, dhe Arbi Haxhiu, 23 vjeç, të dy banues në këtë qytet.
Operacioni i koduar “The next Gun” u finalizua me sukses nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të masave të marra për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave të rrezikshëm për shoqërinë.
Gjatë arrestimit, të dy personave iu gjet një armë zjarri tip pistoletë, e cila kishte fishek në fole dhe ishte gati për qitje.
Aldi (Erald) Mustafa rezulton person me precedentë penalë në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ai ishte i shpallur në kërkim si i dyshuar për përfshirje në një ngjarje të ndodhur më 13 gusht 2025, në lagjen nr. 14 të qytetit të Durrësit, ku një banesë u godit me lëndë plasëse.
Policia vijon hetimet për të dokumentuar tërësisht aktivitetin kriminal të të arrestuarve dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm.